Mbytja e anijes “Costa Concordia”, arrestohet kapiteni

Pas aksidentit të kryqëzorit "Costa Concordia" pranë brigjeve të Italisë, është arrestuar kapiteni. Ndaj tij ngrihen akuza për vrasje nga pakujdesia. Forcat e shpëtimit kanë nxjerrë nga anija dy të mbijetuar.
Kapiteni i arrestuar i kryqëzorit "Costa Concordia" akuzohet, të jetë fajtor për mbytjen e anijes në afërsi të brigjeve të Toskanës. Gjithashtu thuhet se ai është larguar nga anija përpara se të siguroheshin të gjithë pasagjerët.
Prokuroria deklaroi, se kapiteni është treguar "tërësisht neglizhent" duke iu afruar me kryqëzorin luksoz ishullit Giglio dhe duke u përplasur me një shkëmb, që i shkaktoi një të çarë anijes. Si rrjedhojë kryqëzori filloi të përmbytej dhe brenda "dy tre minutash" një sasi gjigante uji depërtoi përmes së çarës rreth 70 deri në 100 metra të gjatë.
Aksidenti ndodhi direkt pranë ishullit Giglio. Si pasojë e fatkeqësisë gjetën vdekjen dy turistë francezë dhe një anëtar peruan i ekipazhit. Shumë vetë pësuan lëndime. Shoqëria me seli në Gjenevë, Costa Crociere, së cilës i përkiste kryqëzori e cilësoi aksidentin si një tragjedi shokuese dhe u shprehu ngushëllimet të afërme të viktimave.