“Më 15 tetor Konferenca Ndërqeveritare”, Rama nga Budapesti: Faleminderit për ndihmën, nënshkruam dy marrëveshje të rëndësishme

Kreu i qeverisë, Edi Rama ditën e sotme ndodhet për një vizitë zyrtare në Hungari. Ai është pritur nga homologu i tij hungarez, Viktor Orban.
Të dy kryeministrat kanë mbajtur një konferencë për mediat, në fokus të së cilës ishte integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.
Më 15 tetor, Shqipëria mban Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE-në.
Kreu i qeverisë, Edi Rama tha se është kënaqësi që ndodhet në Hungari dhe shprehu mirënjohjen për atë që ka bërë Presidenca hungareze e Këshillit të BE për Shqipërinë.
Edi Rama: Viktor Orban është një nga personat më të këndshëm për të folur për gjëra të ndryshme që po ndodhin nëpër botë, por edhe për historinë si instrumet nga i cili duhet të mësojmë për tu përgatitur për të ardhmen. Pas disa ditësh ne do të kemi mundësinë që të hapim një pjesë të madhe të negociatave me BE, një grup të tërë kapitujsh dhe në këtë mënyrë ne do të hyjmë në fazë integrimi e cila është vërtet e avancuar.
Është vendi dhe momenti për të falenderuar edhe dikë tjetër që nuk është pjesë e qeverisë hungareze, por është pjesë e qeverisjes evropiane, Oliver Varhelyi i cili na ka shoqëruar për 5 vite dhe ka qenë kyç dhe vendimtar për shumë arritje. Falenderoj kryeministrin, ministrin e Jashtëm, qeverinë hungareze. Ne e kemi ndjekur Hungarinë si shembull në administratë, në qeveri, reforma për të gjetur mënyra që ministritë të jenë sa më efikase. Ne kërkojmë që të mësojmë gjithnjë e më shumë nga Hungaria.
Shefi i qeverisë bëri me dije se në Budapest janë firmosur dy marëveshje të rëndësishme, njëra në fushën e bujqësisë dhe tjetra në fushën e administratës publike.
Edi Rama: Sot biseduam se si mund ta zgjeronim këtë bashkëpunim tonin, që në fakt është ndihmesë në një drejtim nga ana hungareze drejt nesh. Nënshkruam dy marrëveshje mirëkuptimi, në fushën e bujqësisë dhe në fushën e administratës publike.
Administrata publike është shumë e rëndësishme për të gjitha ato vende që janë në proces integrimi në BE. Folëm gjithashtu për investimet dhe i thashë kryeministrit që ndihemi të inkurajuar që shoqëritë tregtare hungareze po investojnë dhe numri i investimeve të drejtpërdrjeta të huaja që vijnë nga Hungaria është i pazakontë, duke u krahasur me vende që janë si Shqipëria në madhësi./vizionplus.tv