E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 23 qershor rrëzojmë murin e bllokimit të ëndrrës evropiane

09-12-2012 / Gazeta 55

Në Ditën e Rinisë, kryeministri Berisha ka shprehur bindjen se asgjë s’do ta ndalë ëndrrën e bashkimit kombëtar në Evropë dhe të rinjtë do të vijojnë të mbeten lokomotiva e këtij procesi.


-- Mesazhi/ “Më 23 qershor të votojmë për liritë, të votojmë për dinjitetin, të votojmë për mirëqenien, të votojmë për ëndrrën tonë kombëtare, Shqipërinë evropiane, shqiptarët të bashkuar”


Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje dje të gjithë të rinjve dhe të rejave, të rrëzojnë me votë murin e bllokimit të ëndrrës evropiane. Gjatë festës së zhvilluar me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, 22 vjetorit të lëvizjes studentore, kreu i qeverisë u ndal te mosvotimi nga PS tre ligjeve të statusit të vendit kandidat në BE, duke e cilësuar këtë si tentativë të neobllokmenëve të rinj, për izolimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj, mesazhi i kryeministrit drejtuar të rinjve ishte të ndëshkojnë me votë më 23 qershor 2013-ë, ata që tentojnë të ndërpresin ëndrrën evropiane të të rinjve dhe mbarë shqiptarëve. “Sot, pas 22 vitesh, bijtë e etërve që ngujuan Shqipërinë në izolimin më të errët në tërë historinë e saj, përdorin votën e tyre në Parlament, pushtetin që u kanë dhënë qytetarët që ju bënë të lirë, për të bllokuar projektin tuaj evropian. Neobllokmenët e rinj duan të hakmerren ndaj jush, për ‘Vaterlonë’ që ju u rezervuat etërve të tyre në dhjetorin e vitit 1990. Unë jam i bindur se ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, po prisni me padurim që më 23 qershor të vitit që vjen të rrëzoni me votën tuaj të lirë murin e bllokimit të ëndrrës tuaj evropiane që kanë ngritur pinjollët e bllokmenëve hoxhistë. Të humbur kanë qenë gjithmonë ata që janë përballur me ju. Ne do të fitojmë! Krenarë me qenë shqiptarë dhe më krenarë me qenë i ri shqiptar, sepse vërtet ju sot nuk keni nivelet më të larta të shkollimit, të shoqërisë dixhitale dhe të punësimit siç meritoni, por ju sot keni ritmet më të larta në Evropë të shkollimit. Sot, 92 për qind e të rinjve që mbarojnë shkollën 9-vjeçare dhe 72 për qind e maturantëve tanë ndjekin përkatësisht shkollat e mesme dhe universitetet e vendit. Ne duam votën tuaj për të kapur së bashku, në mandatin e ardhshëm, cilësitë më të larta të shkollimit, për tu bërë ju arkitektët e vërtetë të së ardhmes së shkëlqyer tuaj, të shqiptarëve, të fëmijëve tuaj, të brezave që vijnë. Ju ftoj të gjithëve ju të vazhdojmë betejën tonë të lirisë. Më 23 qershor të votojmë për liritë, të votojmë për dinjitetin, të votojmë për mirëqenien, të votojmë për ëndrrën tonë kombëtare, Shqipërinë evropiane, shqiptarët të bashkuar”, u shpreh Berisha.


Në këtë ditë kryeministri kujtoi edhe arritjet e Shqipërisë në 100 vite, përmbysjen e regjimit hoxhist, anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë dhe kremtimet për këtë ditë që bashkoi shqiptarët nga të gjitha skajet. “Sot është krenari me qenë shqiptar, por dhe më krenari me qenë i ri dhe e re shqiptare, sepse ju sot ende nuk jeni të rinjtë e një vendi të pasur, apo një vendi të zhvilluar, por në një hark kohor të shkurtër prej dy dekadash mundi, djersa, energjia, mençuria, vizioni juaj, Shqipërinë e rrezuar përdhe, që përpëlitej e dergjej në varfëri ekstreme, e ngritët në këmbë dhe me shpejtësi po e ngjisni atë, po e çoni të sigurt në zenitin e zhvillimit. Shqipëria është zhvilluar dhe rritur këto 20 vite më shpejt se çdo vend tjetër në Evropë dhe në botë. Ajo me padurim pret votën tuaj si eliksirin e saj më 23 qershor, për t’i dhënë mandatin që ta shndërrojë atë në vend të zhvilluar, në Shqipërinë evropiane. Unë e di, gjithashtu, se sot jo të paktë janë të rinjtë dhe të reja e papunë, por të gjithë e dinë se në këtë kohë krize më të thellë që Evropa ka njohur, Shqipëria është i vetmi vend që ka dyfishuar eksportet, trefishuar investimet dhe jo vetëm nuk ka pasur rritje, por ka pasur ulje të papunësisë. Unë ju jap fjalën ju se do të bëj gjithçka që votën tuaj të 23 qershorit ta shndërroj në mirësi, në vende pune, në punësim për ju, të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë. Krenar me qenë shqiptar dhe shumë më krenar i ri shqiptar, sepse për 100 vite me radhë ju ishit guximi, trimëria, heroizmi, shpirti i pamposhtur i kombit shqiptar. Për shqiptarët rinia dhe liria janë një binom përjetësisht i pandarë. Betejat tuaja për liri dhe dinjitet njerëzor janë legjenda e vërtetë trimërisë, sakrificës, atdhedashurisë. Ishit ju, ishin të rinjtë e kombit shqiptar që 100 vjet më parë u përballën me aleanca barbare që u vërsulën të tërbuara mbi trojet etnike shqiptare për copëtimin e tyre, shuarjen nga harta të kombit tonë të lashtë. Ishin luftërat, kryengritjet e mëdha të të rinjve shqiptarë të të gjitha trojeve etnike, të fillimit të shekullit të shkuar, që tronditën Evropën dhe botën, si dhe bënë të mundur shpalljen në Vlorë të pavarësisë së Shqipërisë. Dhe më pas, pas pushtimit të ri të vendit, do të ishin djemtë dhe vajzat shqiptare që do t’i kthenin ditën e parë pushkën okupatorit dhe në vitet në vazhdim do të krijonin në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri e kudo që ishin njësitë e luftëtarëve të lirisë dhe me një rezistencë të pamposhtur, beteja heroike, me gjakun, jetën, rininë e tyre do ta rreshtonin kombin në anën e fitimtarëve, do të dilnin fitimtarë nga një luftë mizore. Sot, në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, në këtë 22 vjetor - ditëlindje të lirive tona, është krenari me qenë shqiptar, por më shumë krenari me qenë i ri dhe e re shqiptar, sepse jeni ju, vajzat dhe djemtë e kombit që vetëm 14 vjet më parë, sërish si luftëtarë lirie, u mblodhët nga të katër anët e botës shqiptare, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora, emigracioni, Evropa, Amerika e kudo që ishit, dhe u përballët në qytetet, fshatrat, në fushat dhe malet e Kosovës dhe trojeve të tjera etnike shqiptare me pushtuesit e shekullit, zhvilluat luftën e fundit çlirimtare të Europës, luftuat dhe fituat kundër një armiku të egër, shumë e shumë herë më të fuqishëm. Mijëra të reja dhe të rinj ranë në fushë-beteja për të fituar pavdekshmërinë, por ata me sakrificën e tyre sublime i rikthyen kombit lirinë kombëtare, e cila për një shekull ishte grabitur nga pushtuesit”, tha kryeministri.


Duke iu drejtuar të rinjve kryeministri apeloi për të bërë realitet ëndrrën e bashkimin kombëtar në Evropë, për të shëruar plagët që rrjedhin prej një shekull mbi kombin tonë. “Shqiptarët sot janë të lirë dhe ata lirinë e tyre ua dedikojnë vetëmohimit, sakrificës, flijimit, martirizimit të vajzave dhe djemve të kombit tonë. Përsëri shqiptarët janë të ndarë në pesë shtete. Unë, siç kam besim tek Zoti, kam besim se do të jeni ju, të rejat dhe të rinjtë shqiptarë, që nuk do të pranoni kurrë të mbeten të shuara ëndrrat e dhjetëra mijëra bashkëmoshatarëve tuaj që flijuan jetën dhe rininë e tyre për ëndrrën më të bukur, idealin më të shenjtë të shqiptarëve, atë të bashkimit kombëtar. Ne vërtet sot jetojmë në pesë shtete, por ne jemi një komb i vetëm, me një gjuhë, me një histori, me një kulturë, me një gen, me një gjak, me një prijës të pamposhtur - Skënderbeun, me një flamur. Ne jemi një komb i vetëm që nuk na ndan dot asgjë në botë, përveç kufijve të vendosur me zjarr, me hekura dhe traktate të padrejta mbi trupin e kombit dhe trojeve tona, kufij të cilët copëtuan në pesë pjesë trupin dhe trojet shqiptare që dergjeshin pas shekujsh robërie. Unë jam këtu sot më besimplotë se kurrë tek të rejat dhe të rinjtë shqiptarë, se ju nën moton “të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën” do të shëroni plagët që rrjedhin prej një shekulli në trupin e kombit tonë, do të bëni të parëndësishëm kufijtë që e copëtuan atë, do të bëni të vërtetë ëndrrën e bashkimit kombëtar”, tha ai.


Mirënjohje për të gjithë studentët Dhjetor ‘90-ë, “Azem Hajdari, tribun i lirisë”


Në fjalën e tij, kreu i qeverisë Berisha u shpreh i lumtur që feston me të rinjtë ditëlindjen e të drejtave themelore njerëzore. Duke shprehur mirënjohje për të gjithë studentët e dhjetorit që përmbysën regjimin më të egër diktatorial me në krye Azem Hajdarin, tribunin e lirisë, ai tha se vizioni evropian dhe guximi i qytetarëve do shndërroheshin në uraganin e lirisë që do përmbyste diktaturën hoxhiste, do ndante epokën dhe historinë. “Më 8 dhjetor ‘90 studentët e Tiranës me në krye tribunin e lirisë Azem Hajdari u përballën në rrugë dhe sheshe me diktaturën më të egër në Evropë që për 45 vite me radhë persekutoi e burgosi, ekzekutoi me gjyq e pa gjyq, u mori jetën me burgje, kampe përqendrimi, kooperativa skllavëruese socialiste qindra e mijëra shqiptarëve. Studentët liberatorë dhe prijësi legjendar Hajdari gjunjëzuan regjimin primitiv që u ndalonte shqiptarëve besimi tek Zoti, u ndaloi pronën, lëvizjen e lirë Rroftë Azem Hajdari. Azem ti je gjallë!”, deklaroi kreu i qeverisë.


Simbolika e 8 Dhjetorit, Dita e Rinisë


Në “Qytetin Studenti”, më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë. Studentët protestues të dhjetorit ’90 kishin aspirata dhe ideale të larta kombëtare, të cilat mbeten shkolla më e mirë e demokracisë. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. Me lëvizjen dhe idetë e saj u bashkuan pedagogë, akademikë, intelektualë qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore duke e shndërruar Lëvizjen Studentore në një revolucion kombëtar demokratik. Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera 8 dhjetori nuk pati dy palë: një fituese dhe një të humbur. Koha tregoi se të fituar ishin të gjithë, shteti, shoqëria dhe individët, partitë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›