Më 30 mars protestë në Mitrovicë

Asociacioni i Komunave është forma përmes së cilës edhe komunat tjera më shumicë serbe po shkojnë kah veriu. Fondi për veriun, apo buxheti paralel, përveç që është i pazëvendësueshëm për funksionalizimin e asociacionit, praktikisht ia betonon autonominë kësaj pjese, pra e realizon de facto ndarjen. Kështu kanë thënë drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje, sot në një konferencë për media.
Vetëvendosje ka paralajmërojë se me 30 mars do të organizojë një protestë në Mitrovicë, për të kundërshtuar bisedimet me Serbinë.
“Duke pasur parasysh që procesi dialogues po rezulton në një marrëveshje për veriun, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të organizojë Tubim protestues në Mitrovicë, me datën 30 mars, në ora 13.00, në sheshin "Mehë Uka". Ky tubim ka si synim kundërshtimin e fuqishëm të cilësdo marrëveshje dhe cilitdo kompromis të ardhshëm, si dhe t’u bëjë të qartë të gjithë faktorëve relevantë vendorë e ndërkombëtarë se gjithçka që është kundërshtim me vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës, për një shtet sovran e të pavarur do të jetë e papranueshme për ne në cilëndo formë dhe cilëndo mënyrë.
I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, por dhe të gjithë shqiptarëve në të gjitha trevat ku jetojnë të na bashkëngjiten në Tubimin Protestues në Mitrovicë”.
Deputeti i VV-së, Visar Ymeri duke kundërshtuar dialogun me Serbinë, tha se deri tash e kemi parë që Serbia përmes Daçiçit ka pasur pozicion të qartë rreth asaj se çfarë do, ndërkohë që Thaçi ka lëvizur vazhdimisht.
“Aktualisht, pra në fund të procesit, Thaçi më shumë flet për atë që e refuzon kategorikisht, pra Republikën Serbe, brenda Kosovës, se sa për atë se çfarë kërkon. Pra, Thaçi nuk është duke e kërkuar më të mirën për Kosovën, por, të paktën deklarativisht, po e lufton më të keqen për të, Republikën Serbe. Nisur nga kjo, dhe bazuar në deklaratat pas takimit të fundit se ka përafrim të qëndrimit të palëve, konkludimi mund të jetë vetëm një: në Kosovë po tentojnë të ngjizin një territor autonom (asociacioni), me buxhet të vetin (fondi për veriun) dhe me kompetenca të stërzgjeruara në të gjithë sektorët e aparatit shtetëror (polici, gjyqësi, telekomunikim, energji, infrastrukturë, etj.)”, tha Ymeri.
Sipas VV-së, i tërë procesi i deritashëm negociator ka qenë i përqendruar rreth veriut, dhe më saktësisht Mitrovicës, prandaj edhe është i domosdoshëm një tubim protestues në Mitrovicë, që qytetarët e këtij qyteti të cilit po i legalizohet dhe thellohet ndarja t’i thonë jo kësaj ndarjeje.
Duke pasur parasysh konceptin politik me të cilin është udhëhequr Kosova në këto dy mandate, pra atë të dialogimit të vazhdueshëm me Serbinë, sipas Vetëvendosjes, si rezultat e kemi një shtet jofunksional, një shtet të kontestuar vazhdimisht nga strukturat ilegale dhe kriminale serbe si në veri, ashtu edhe në pjesë tjera të Kosovës.
“Kjo Qeveri në këto dy mandate vetëm sa e ka rritur varfërinë dhe papunësinë e në të njëjtën kohë e ka pasuruar dhe e ka kriminalizuar klasën politike në pushtet. Ky koncept e ka prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë veriun dhe popullsinë shqiptare atje, e cila është e rrezikuar si në aspektin e sigurisë e po ashtu edhe në aspektin ekonomik e social”, konsideron VV-ja. /Indeksonline/