Më 8 shtator nis viti i ri shkollor, Policia e Shtetit plan masash për sigurinë e nxënësve

Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në kuadër të vitit të ri shkollor 2025–2026, që starton më 8 shtator.
Për këtë, komisariatet për shkollat që kanë nën juridiksion do të sigurojnë prezencë policore në orarin e fillimit dhe mbarimit të mësimit, gjatë pushimit të madh dhe gjatë ndërrimit të turneve në shkolla.
Policia Rrugore do të ketë një prani të shtuar në akset rrugore, veçanërisht pranë shkollave që ndodhen në rrugët kryesore, si në fillim, ashtu edhe në përfundim të procesit mësimor.
Masat përfshijnë gjithashtu kontrolle rigoroze ndaj drejtuesve të automjeteve që kryejnë transportin e nxënësve në shkolla, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit të nxënësve.
Për parandalimin e veprimtarive kriminale, që cenojnë sigurinë e nxënësve, do të qëndrojnë në gatishmëri ndihmësspecialistët e policisë sipas zonës dhe punonjësit e policimit në komunitet.
Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Agron Çeli, deklaroi se në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, AKU-në dhe pushtetin vendor, do të punohet për mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara pranë shkollave, të cilat jo rrallëherë shërbejnë edhe si pika të grumbullimit të shtetasve me precedentë kriminalë, përdoruesve të pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, si dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës dhe nxënësve të shkollave.
Në portat hyrëse të shkollave një tjetër masë përfshin kontrollin e nxënësve që mund të mbajnë me vete sende të kundërligjshme. Kontrolli do të kryhet nga personeli roje i shkollës dhe oficerët e sigurisë, në prani të mësuesve dhe në mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.
/rtsh.al/