Me Makhmalbaf e Alimanin

Regjisorja iraniane, Samira Makhmalbaf, e cila është edhe anëtare e jurisë në seksionin e dokumentarëve ndërkombëtarë, theksoi se kinematografia e pavarur është i vetmi medium që transmeton atë që ndien populli.
“Në kohën kur mediat dhe mjetet tjera të komunikimit janë të zaptuara nga pushteti dhe qeveritë e vendeve të ndryshme, kinematografia, gjegjësisht filmi i pavarur, paraqet zërin e popullit”, tha Makhmalbaf. “Filmi është një pasqyrë e njerëzve e shoqërisë. Kur sheh një film, gjen një copë të vetvetes aty. Ideja është që filmi të jetë një pasqyrë e njerëzve”, shtoi ajo. Ngjashëm mendon edhe regjisori i filmit “Amnistia”, Bujar Alimani, i cili pranoi se është i ndikuar nga kinematografia iraniane.
“Në këta filma trajtohen çështje të vogla, kur i mendon në plan të parë, por mënyra se shkrihen ato në film e bënë këtë kinematografi kaq të mirë”, u shpreh ai.
E, sipas drejtorit artistik të festivalit, Veton Nurkollari, e marta ishte një ditë e veçantë, ngase në kuadër të projektit “Fabrika e Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut – Storie nga Margjinat e Kosovës”, u shfaqën tre nga gjashtë filmat e prodhuar nga DokuFest. Ky projekt u përkrah nga Komisioni Evropian, ndërsa në shfaqjen e filmave ishte prezent edhe kreu i komisionit evropian, Samuel Žbogar. Nurkollari njoftoi gazetarët se pas filmit “Muri”, Žbogar vendosi që të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të shkollës që shfaqet në film.
Ndryshe, në mesin e aktiviteteve të shumta në DokuFest, vlen të përmendet ligjërata e fotografes gjermane, Jutta Benzenberg, e cila në Muzeun e Hamamit të mërkurën prezantoi arkivin e punës dhe përvojën e saj 20-vjeçare në Shqipëri.