E Diel, 1 Nëntor 2026

Me bexhën e gazetarit në gjoks, efektivët e “Shqiponjave” e spërkasin me spraj piperi në fytyrë! Gazetari i “Vetting” përfundon në QSUT

Efektivë të repartit “Shqiponja” kanë spërkatur me spraj piperi në fytyrë gazetarin e emisionit investigativ “Vetting”, Armand Kullau, ndërsa ai po filmonte ndalimin e dy të rinjve nga Policia e Shtetit. Ngjarja ka ndodhur te shtunën më 24 tetor 2026, rreth orës 20:05, pranë zonës së njohur si “Vasil Shanto” në Tiranë.

sulmi ndaj gazetarit

I gjithë incidenti është dokumentuar me pamje filmike që disponohen nga redaksia e emisionit.

Kullau mbante të vendosur në mënyrë të dukshme bexhën identifikuese të gazetarit. Megjithatë, efektivët nuk morën parasysh as bexhën dhe as prezantimin e tij.

“Jam gazetar, po bëj detyrën time dhe nuk po pengoj as punën tuaj si efektivë policie, por po veproj konform ligjit”, u është drejtuar Kullau punonjësve të policisë.

Pavarësisht identifikimit dhe sqarimit se po dokumentonte një veprim policor, punonjësit e repartit “Shqiponja” e kanë spërkatur me spraj piperi në drejtim të fytyrës dhe kokës. Si pasojë, gazetari ka pësuar irritim të fortë të syve dhe të lëkurës, nga koka deri në qafë, si dhe probleme serioze me shikimin. Për një kohë pas incidentit, Kullau nuk ka qenë në gjendje të shihte.

Nuk kanë qenë efektivët që përdorën sprajin ata që i dhanë ndihmë. Kanë qenë qytetarë dhe kalimtarë të rastësishëm që iu afruan gazetarit, ndërsa gjendja e tij po përkeqësohej, dhe pikërisht ata njoftuan shërbimin e urgjencës.

Ambulanca e ka transportuar Kullaun drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në QSUT, gazetari fillimisht është trajtuar në Shërbimin e Urgjencës, në Shërbimin e Otorinolaringologjisë, dhe më pas është dërguar në repartin e djegieve për një kontroll të dytë. Mjekët kanë ndërhyrë për irritimin e syve dhe dëmtimet e lëkurës. Pas trajtimit, Kullaut i është caktuar terapi mjekësore që duhet ta ndjekë në banesë.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 22, garanton lirinë e shtypit, ndërsa neni 10 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbron të drejtën e gazetarit për të mbledhur dhe përcjellë informacion me interes publik. Ligji “Për Policinë e Shtetit” e lidh përdorimin e forcës me domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin.

REAGON DREJTORI I EMISIONIT INVESTIGATIV “VETTING”, ARDIAN BUSHI

“Spraji i piperit mund të pengojë përkohësisht shikimin e një gazetari, por nuk mund të verbojë të vërtetën!”

Sulmi ndaj gazetarit Armand Kullau, pjesë e stafit të emisionit investigativ “Vetting”, shtunën në mbrëmje, pranë zonës “Vasil Shanto” në Tiranë, është një ngjarje që nuk mund dhe nuk duhet të kalojë në heshtje;

“Sjellja e papranueshme dhe joprofesionale e punonjësve të policisë, e dokumentuar në pamjet filmike që disponojmë, përbën një shqetësim serioz për lirinë e medias dhe ushtrimin e profesionit të gazetarit.

Kam qenë personalisht pranë kolegut tonë në spital, deri në përfundimin e trajtimit. Ajo që ndodhi nuk është incident i zakonshëm. Kërkon verifikim të plotë dhe përgjegjësi institucionale.

Dua t’u bëj të qartë të gjithë atyre që mendojnë se me presione, kërcënime apo përdorimin e forcës mund të pengojnë punën tonë, se as na kanë trembur dhe as do të na trembin”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›