E Martë, 3 Nëntor 2026

“Më duhet një transplant veshke”, piktorja rrëfen historinë e saj: Nuk kam dikë që të më ndihmojë

Enxhi Rrumbullaku është një vajzë plot pasione për jetën dhe pikturën, edhe pse jeta e ka përballur me sfida të vështira. Në moshë fare të re ajo u diagnostikua me një problem me veshkat dhe sot e vetmja zgjidhje për të është transplanti i veshkës.

“Jam në pritje të një dhuruese, por nuk kam dikë që të më ndihmojë” ishin fjalët e saj gjatë një intervistë për “Jetë Shqiptare”, edhe pse shton se ajo e jeton jetën në maksimum me pasionet e saj si piktura dhe qëndisja.

Pasionin për pikturën tashëm e ka kthyer jo vetëm në relaks për veten e saj por edhe në një mënyrë jetese, ku sot ka mundësi që disa prej veprave t’i shesë.

“Kam 4 vite që merrem me pikturën dhe portretet. E nisa për pasion deh sot kam klientë që i blejnë pikturat e mia. Në fillim më tha një piktore që kam talent dhe më ndihmoi të perfeksionohem më shumë. Kur kisha komente pozitive vendosa ta kthejë në punë pikturën dhe të paguhem prej saj.

Familja ka qenë një mbështetje e madhe për mua. Ata janë gjendur gjithmonë me çdo problem që kam pasur edhe me shëndetin. Para 6 vitesh kam pasur probleme me shëndetin konkretisht me veshkat dhe më duhet të kurohem në spital vazhdimisht. Përgjithësisht mbahem e zënë me punë duke më ndihmuar që të mos mendojë problemin shëndetësor. Unë nuk e vras shumë mendjen dhe i marr gjërat shumë qetë dhe mendoj se këtë fat kam dhe duhet ta përballoj më së mirë. E vetmja zgjidhje është një dhurues i veshkës. Zgjidhja e vetme është jashtë shteti por për momentin nuk kam asgjë në dorë, nuk kam dikë jashtë që të më ndihmojë”, tha ajo

E fortë dhe e guximshme, Enxhi Rrumbullaku  gjen motivin për të buzëqeshur çdo ditë dhe jeton me shpresën se dikush do e ndihmojë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›