Me kë janë amerikanët në Shqipëri?!
Shqiptarët e thjeshtë në një masë në rritje, kanë filluar këto vitet e fundit të anti-amerikanizohen ose amerikano-skeptizohen, paska. Dhe kjo për mua është një tendencë shqetësuese, qofte ky edhe keq-konceptim.
Kjo mund të vijë nga padija, nga të qënit jo të sofistikuar sa duhet, por mundet të vijë edhe për shkak të një farë ambiguiteti ose diplomacie e mirëfilltë faktikisht, në qëndrimet e përfaqësimit zyrtarë ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri.
Të gjitha këto, kërkojnë një përpjekje më të madhe për të qenë jo më shumë, por më pak diplomatik, (nëse është e bëshme), me shqiptarët në funksion të asaj që të mos zërë rrënjë zhgënjimi dhe pikëpyetjet, pas çdo qëndrimi zyrtar për çdo veprim, që shkon drejt totalitarizmit dhe ngushtimit real të hapësirave dhe mosfunksionimit demokratik të jetës së brendshme në vend, qoftë ky edhe i perceptuar.
Jam i bindur se amerikanët e akredituar në Tiranë duhet të monitorojnë dhe te jenë në dijeni të shpërthimeve apo reagimeve mjaft të ashpra të një pjese jo të vogël shqiptarësh, përgjithësisht anonim, nëpër faqet e internetit dhe blogje, të cilët mund të jenë këto vitet e fundit, mbështetës të opozitës, por jo domosdoshmërisht, që spara i kuptojnë lëvizjet dhe prononcimet zyrtare amerikane.
Kjo, në fund të fundit, në vetvete është shprehje e demokracisë ne veprim, pasi as në Amerikë nuk e duan Amerikën sa e duan atë shqiptarët!
Realisht shumë shqiptarë, janë ende të pasqaruar, pavarësisht nga nënkuptimet, se përse kryeministri cilësohet burrë shteti pas 21 janarit, pse nuk pranohen ekspertiza amerikane për ngjarje të rënda të prishjes së rendit apo krime të padënuara, apo pse marrin miratim zyrtar të zgjedhur të kontestuar në zgjedhje problematike, apo pse nuk shkohet në parlament kur zgjidhet Presidenti i ri dhe më pas mirëpritet dhe kërkohet bashkëpunimi për reformat me të sapozgjedhurin e injoruar në parlament.
Apo pse nuk reagohet edhe kur zgjidhet së fundmi një shef i ri i Shërbimit Sekret, që dikur thuhej se amerikanët edhe për shkak të sensitivitetit të të qenit në NATO, do ishin shumë më kërkues ndaj pasardhësit, etj, etj.
Legjendat, jo vetëm urbane, në kërkim të përgjigjes shkojnë deri në glorifikime të faktit se I Pari real i vendit nuk pyet për amerikanët, dhe madje i ka tejkaluar ata, me zgjuarsinë e tij dhe finokllëkun politik, duke i bërë që amerikanët të duken të papërgatitur dhe të zënë gafil, për çdo lëvizje shahu alla-Kasparov, që ai bën në politikën e vendit.
Ka të tjerë që thonë se I Pari i Dheut, mbahet nga amerikanët, pasi ai ka ndikim në Kosovë dhe nëse do Ai, mbretëron paqja mbi atë pjesë të dheut të Kombit, e nëse sdo Ai, bëhet hataja, madje mbyllet edhe baza ushtarake e Bondstill-it në Kosovë !!
Ca të tjerë thonë se atë e mbron lobi i Bektelit, e ca të tjerë thonë që Amerika as e ka në refene fare Shqipërinë, për aq kohe sa ska trazira, por thjesht ka disa udhëzime të përgjithshme nga DASH-i, Departamenti Amerikan i Shtetit për politikën ndaj Shqipërisë, me të drejtë interpretimi me diapazon të gjerë nga kryediplomati i radhës në Tiranë dhe kaq.
Madje, një takëm syresh thonë se po u paguan disa para për lobim, mundet të takosh edhe Sekretaren e Shtetit, pavarësisht sesa i krahasueshëm mund të dukesh me Llukashenkon.
Personalisht, nuk besoj as njërën, as tjetrën. Por nuk ka rëndësi se çbesoj unë.
E rëndësishme është që shqiptarëve tu thuhen ca gjëra paska më troç, më shqip, dhe amerikanët e Tiranës të jenë më të prerë me të gjithë faktorët e brendshëm, sipas kokës secilit, që shqiptarët e anti-amerikanizuar të mos humbasin besimin dhe të bëhen skeptik ndaj Amerikës së madhe, garantit të vërtetë të vlerave të demokracisë në botë.
Kjo më shqetëson më së shumti, pasi nuk do doja që shqiptarët të bëheshin si grekët, se si serbët ska shanse, në këtë drejtim, të cilët edhe pse i ka mbajtur me bukë Amerika gjatë Luftës së Ftohtë, por dhe sot e kësaj dite, e sërish molotovët i hedhin Ambasadës amerikane në Athinë!!!
Mos e dhëntë Zoti kurrë të ndodh kjo në Tiranë dhe kurrë nuk besoj se do të ndodh, dhe ka arsye, ndaj edhe ska ndodhur.
Por për tju kthyer pyetjes në titull, përgjigja ime është, dhe mund ta kem edhe gabim , (shpresoj që jo), që; amerikanët janë në parim me ata që i voton ndershmërisht shumica e popujve, dhe janë tejet të ndjeshëm veçanërisht ndaj mosshkeljes së vijës së kuqe në standardet demokratike.
Shqiptarët, padyshim, janë më proamerikanët në Evropë, aq sa e kam pas shumë të vështirë tju shpjegoj atyre anglezëve me të cilët bisedoja, të cilët madje ngrinin edhe vetullat, kur shikonin sesi e pritëm ne Bushin në Tiranë, kur të tjerët në Britani ose Evropë, përgjithësisht nuk e shikonin dot me sy, pas Irakut.
Të njëjtën gjë bëjnë edhe me pritjet për Toni Blerin në Kosovë apo Shqipëri. Argumentet e mija kanë qenë dy: Ne, si komb jemi mirënjohës dhe e dyta, nuk jemi Taleban.
Është imperativë që tek të dy këto paradigma unikale shqiptare nuk duhet të ketë hapësirë dhe sduhet të lihet hapësirë për keqkuptim, aq më tepër moskuptim.
