E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me koncert në Vlorë

Më 28 nëntor Filarmonia e Kosovës do të jetë në Vlorë. Atje, me ftesën speciale të kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, Filarmonia do të prezantohet me vepra ekskluzivisht të autorëve shqiptarë si Fahri Beqiri, Rauf Dhomi, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Palok Kurti, Mendi Mengjiqi, Avni Mula dhe Nikolla Zoraqi.

Filarmonia e Kosovës, të shtunën mbrëma mbajti koncert në Kishën “Shën Ndou”, ndërsa më datë 25 nëntor mban koncert në Prishtinë, e më 28 nëntor i tërë stafi profesional i saj do të jetë në Vlorë.

Këto janë disa nga aktivitetet e Filarmonisë së Kosovës gjatë muajit nëntor që kanë karakter festiv. Koncerti i së shtunës ishte me korin, solistët vokalë dhe Orkestrën Simfonike.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, pohoi në një konferencë për media se në këtë koncert në pjesën e parë do të prezantohet Kori Profesional me tri vepra korale, ndërsa vend qendror do të zërë vepra madhështore vokalo-instrumentale GLORIA e kompozitorit të njohur baroken Antonio Vivaldi – premierë.

“Në pjesën e parë të koncertit do të prezantohet Kori Profesional me tri vepra korale të kompozitorëve Rexho Mulliqi, me ç’rast përkujtojmë edhe 30 vjetorin e vdekjes së këtij kompozitori të madh shqiptar, më pas Benjamin Britten si dhe të Ko Matsushita”, tha ai.

Sa u përket dy koncerteve të tjera që do të mbahen me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në të dyja Filarmonia e Kosovës do të prezantohet me vepra ekskluzivisht të autorëve shqiptarë si Fahri Beqiri, Rauf Dhomi, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Palok Kurti, Mendi Mengjiqi, Avni Mula dhe Nikolla Zoraqi.

Baki Jashari shtoi se koncerti në Prishtinë mbahet nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës ndërsa ai në Vlorë me ftesë speciale të kryebashkiakut, Shpëtim Gjika.

“Koncerti i dytë do të realizohet në qytetin historik të Vlorës me ftesë speciale nga kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika me ç’rast do të merr pjesë i tërë stafi profesional i Filharmonisë së Kosovës me Korin miks, solistët vokal dhe Orkestrën e madhe Simfonike, mbi 90 muzikantë”, theksoi Jashari.

Ftesa e kryebashkiakut të Vlorës, nënkupton edhe bartjen e të gjitha shpenzimeve organizative nga ana e Bashkisë së Vlorës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›