E Diel, 1 Nëntor 2026

Më mirë Joyce dhe Beckett se shkrimtarët që janë joshur nga realiteti

Një ndër librat më të rëndësishëm të kohëve të fundit në letërsinë botërore është përmbledhja e tregimeve të Don Delilo, “The Angel Esmeralda”.

Janë nëntë rrëfime, të sapopublikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është hera e parë që autori i jep në duar lexuesit një libër me rrëfime të shkurtra, të cilat i ka shkruar paralelisht me 15 romanet që ka botuar deri më tani, pra gjatë veprimtarisë letrare 35-vjeçare. Është një libër që sapo ka dalë dhe është shndërruar në një “klasik” letrar dhe është pritur me shumë entuziazëm nga publiku dhe kritika ndërkombëtare, veçanërisht ajo anglishtfolëse, sepse ende nuk është përkthyer.

Gazetat më në zë amerikane dhe britanike e kanë cilësuar dhe vlerësuar me superlativ, duke e cilësuar “të mrekullueshëm”, “rezultat i një arti të madh”, “një rrëfim elektrizues me një gjuhë të zhdërvjelltë dhe të pasur”. Mes nëntë tregimeve që përfshihen në këtë libër, ai që i jep titullin librit ka për protagonistë dy murgesha, që i japin ushqim dhe ngushëllim njerëzve të moshave dhe gjendjeve të ndryshme sociale, kryesisht atyre që janë përballur me më shumë vështirësi e fatkeqësi se të tjerët. Ngjarjet nisin me vrasjen e një fëmije me emrin Esmeralda dhe më pas, kulmojnë me një gërshetim personazhesh dhe ngjarjesh plot të papritura. Të tilla janë edhe rrëfimet e tjera të shkrimtarit. Në një intervistë të bërë në shtëpinë e tij në qendër të Manhatanit, ai rrëfen për librat më të mirë të këtij viti, për mrekullitë dhe për artin e tij dhe atë në përgjithësi...

Cilët janë librat që ju kanë pasionuar më shumë këtë vit?

Këtë vit kam lexuar shumë klasikë. Kam rimarrë në duar librat e Beckett dhe kam mbetur me të vërtetë i befasuar, madje shumë më tepër nga sa e prisja. Kam kaluar muaj të tërë me lexime, duke i përfunduar të katër vëllimet e veprës së tij të plotë. Më pas jam përqendruar te një tjetër shkrimtar i madh irlandez, James Joyce, veçanërisht te libri i tij “Dublinasit”. Më pas mund të them se libri “Të vdekurit”, nga i cili John Huston ka bërë edhe një film shumë të bukur, është një kryevepër dhe ndoshta Joyce është shkrimtari që ka pasur rolin më të rëndësishëm dhe më të fortë në formimin tim letrar. Më në fund kam lexuar diçka që nuk është tërësisht letrare, por mua më ka bërë përshtypje të thellë: tekstet e shkruar nga dhe mbi De Kooning, që kanë dalë së fundi. Më mrekullon shumë mënyra e të rrëfyerit të De Kooning…

A mendoni se ndryshimi politik që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ardhjen e Obamës ka ndikuar në njëfarë mënyre në letërsinë e viteve të fundit?

Nuk mund të them se letërsia ndikohet nga qenia në Shtëpinë e Bardhë të një presidenti, apo një tjetri. Më pas them se ata që e kanë me të vërtetë për zemër letërsinë, shkruajnë në një proces me të vërtetë intim dhe shumë personal që nuk ndikohet shumë, madje fare nga ndryshimet politike të jashtme, sado të mëdha të jenë ato. Të paktën në këndvështrimin afatshkurtër.

Për t’iu rikthyer tregimit “Engjëlli Esmeralda”, ai është një tregim i shkruar para romanit tuaj “Underworld’, por në njëfarë mënyre është shfaqur edhe në këtë roman. A është kështu?

Po, në njëfarë mënyre. Është një histori e përfshirë në roman, por jo kaq e detajuar. Në zanafillë ishte një histori shumë e shkurtër që kishte ndodhur në një lagje shumë të varfër dhe të dhunshme dhe për ndodhjen e një mrekullie edhe në zemrën e së keqes.

Ju vetë besoni te mrekullitë?

Ajo që më intereson është perceptimi që kanë njerëzit për mrekullitë dhe me sa kam vënë re, edhe pse përmasa është e ndryshme, mrekullitë i ndjejnë dhe i perceptojnë si besimtarët, ashtu edhe ata më skeptikët. Sigurisht, në mënyra të ndryshme...

Pas shumë romanësh të suksesshëm, përse vendosët që të nxirrni një vëllim me tregime?

Ishte botuesja ime që ma propozoi fillimisht. Kur ma bëri propozimin, e pashë me mosbesim. Madje isha shumë skeptik ndaj një sprove të tillë. Vetëm nga këmbëngulja e saj, e pranova sfidën...

Cili është dallimi mes shkrimit të një romani dhe shkrimit të tregimeve të shkurtra?

Kur shkruaj një roman, për një kohë të gjatë nuk e di se si do të përfundojë. Ndërsa në rastin e tregimit, për shkak se është i shkurtër dhe i ngjeshur, ti e di shumë mirë se si do të përfundojë. Pra ke një ide më të plotë për të gjithë rrëfimin.

Tregimet përgjithësisht shiten më pak se romanet. Përse sipas jush?

Sepse lexuesit, përshi edhe mua personalisht, pëlqejnë që të ndjekin ngjarjet e personazheve që zhvillohen ngadalë në sytë e tyre. Dëshirojmë diçka, mbi të gjitha dikë që të jetë për një kohë të gjatë dhe personazhet e romanit ta plotësojnë këtë dëshirë shumë më mirë se ato të tregimeve.

Vihet re në veprat tuaja se temat dhe vendet ku zhvillohen ngjarjet janë pak a shumë po ato, pra kinemaja, opera, sportet, terminalet e aeroporteve...

Bëhet fjalë për pasionet e mia. Terminalet e aeroporteve më mrekullojnë, duke qenë se kanë një grumbullim shumë të madh njerëzish të ndryshëm, kanë një larmi dhe energji njerëzore që nuk e gjen në asnjë mjedis tjetër. Janë vende në të cilat harrojmë se kujt i përkasim dhe bëhemi edhe ne njësh me turmën shumëngjyrëshe të njerëzve.

Në “Hammer and Sickle”, protagonisti është një burrë që përfundon në burg dhe shndërrohet në një të “çmendur pas futbollit…”

Gjithçka lindi nga një urë të cilën e kaloj çdo ditë për t’u kthyer në shtëpi. Një ditë, krejt papritur pashë një makinë që po transportonte disa të burgosur që më bënë shumë përshtypje. Shkova në një burg për kuriozitet dhe aty dëgjova historinë të cilën e kam shkruar, sigurisht me disa ndryshime që janë të rastit. Pra pashë njerëz që, edhe pse i kishin humbur disa liri dhe të drejta, kishin nisur që të merreshin me pasione të tjera, madje me të njëjtin zjarr me të cilin ishin marrë edhe gjatë jetës në liri me pasionet e botës jashtë.

Në tregimin tjetër “Human moments in World War Three” dy astronautë bëjnë pyetjen se si mund të jetohet në një planet, në të cilin ekzistojnë tërmetet, përmbytjet dhe të gjitha llojet e tjera të fatkeqësive natyrore, por edhe njerëzore...

Është një refleksion që në fakt më përket shumë dhe është një pyetje të cilën ia kam bërë vetes gjithnjë. Në këtë rast më kanë bërë shumë përshtypje fotot me ngjyra të Tokës sonë të parë nga hapësira… në fund konstatova me dhimbje se ky planet kaq i bukur nga jashtë, por edhe nga brenda, duhet të jetojë me një sërë fatkeqësish, dhimbjesh, humbjesh në mënyrë të përhershme.

Në shumë nga tregimet tuaja, protagonistët vëzhgojnë diçka që ndodh para syve të tyre… Në “Baader Meinhof” është një grua e cila sheh një ekspozitë, tema e së cilës ishte grupet terroriste gjermane…

Unë kam një mënyrë të shkruari tepër vizive. Nisem gjithmonë nga pamjet. Por atë që tregoj dhe trajtoj në “Baader Meinhof” e kam përjetuar personalisht, në një ditë kur muzeu të cilin po shihja ishte tërësisht i zbrazur. Dhe ajo përvojë shumë e veçantë mbeti brenda meje dhe u shndërrua në tregim. Duhet ta lexoni...

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›