Hasani, futbollisti i vitit në Maqedoni

Epitetin e futbollistit më të mirë të vitit nga kampionati maqedonas e ka fituar kapiteni i skuadrës shqiptare, Shkëndijës, Ferhan Hasani, i cili tash e tutje karrierën do ta vazhdoj në Bundesligën gjermane, ku do t’i mbrojë ngjyrat e Wolfsburgut. Hasani ishte njëri prej më meritorëve që klubi tetovar e fitoi titullin e kampionit gjatë vitit që po e lëmë pas.
Njëherësh, klubi i tij i deritanishëm, Shkëndija është shpallur skuadra më e mirë e vitit në Maqedoni. Merita për suksesin e Shkëndijës kishte tashmë ish trajneri i saj, Qatip Osmani i cili u zgjodh trajneri më i mirë i vitit 2011.
Ndërkohë, lojtari më i mirë maqedonas, i cili luan jashtë vendit, është shpallur Ivan Triçkovski, i cili i mbron ngjyrat e APOEL-it. Kurse, epiteti i futbollistes më të mirë i ka takuar shqiptares, Gentiana Roçit.
Duhet theksuar se kësaj radhe FFM-ja nuk e ka organizuar fare ceremoninë e shpalljes së më të mirëve të vitit, me arsyetimin se po kursen për ta ndërtuar objektin e ri të saj. Andaj, këto çmime do të dorëzohen nga zyrtarët e saj nëpër terren.