Më shumë bashkëpunim polici-prokurori

Sot në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë, stafi komandues i DRP-së, komandantët e stacioneve e njësiteve si dhe shefat e hetimeve kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e prokurorisë themelore të Prishtinës, të kryesuar nga kryeprokurori Imer Beka.
Takimi sipas pjesëmarrësve ishte i domosdoshëm, sidomos tani pas hyrjes në fuqi të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, si dhe pas riorganizimeve të Prokurorive dhe Gjykatave.
Palët pjesëmarrëse diskutuan për gjetjen e mjeteve dhe metodave si dhe ndërmarrjen e masave të cilat do të ishin në funksion të koordinimit dhe ngritjes së kualitetit të bashkëpunimit. Ato gjithashtu u pajtuan se me gjithë se rolet e ndara në luftën kundrejt krimit dhe dukurive të tjera antisociale, qëllimin e kanë të përbashkët dhe në fokus të takimit ishte sqarimi dhe diskutimi për gjetjen e mënyrave më të përshtatshme, mjeteve dhe metodave si dhe ndërmarrjen e masave të cilat do ti kontribuonin ngritjes së efikasitetit në kuadër të kësaj lufte në të gjitha fazat dhe format e saj.
Së fundmi palët shprehën admirimin e tyre për bashkëpunimin e gjertanishëm, duke u inkurajuar për ruajtjen dhe ngritjen e këtij bashkëpunimi, njëherësh u pajtuan që takimet e tilla të jenë të rregullta në intervale mujore./Indeksonline/