Më shumë kredi biznesit të vogël, kryesojnë tregtia, hoteleria, restorantet dhe industria

Kredia për biznese gjatë gjashtë muajve të parë të vitit u rrit me 15.5%, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Ajo që vihet re është se kredia për biznesin e vogël është rritur 3 herë më shumë se në vitin 2024, duke reflektuar kërkesën e lartë të këtij segmenti për para dhe kushtet më të favorshme për kreditim.

“Bizneset e vogla shohin në mënyrë shumë sensibël rritjen apo uljen e konsumit, janë biznese që ndikohen në mënyrë të drejtpërdrejt nga flukset turistike, nga ndryshimet vebndiore, asfaltimi i një rruge të re apo hapja e një lulishteje. Janë biznese që shikojnë mundësinë për tu zgjeruar nga bar, kafene, restorante te biznese të tjera që lidhen me ushqimin, shitjen, pra dyqane tipikisht të lagjeve”, tha Mateo Spaho, ekspert i Tregut Bankar.
Sipas sektorëve, tregtia, hoteleria, restorantet dhe industria janë ato që janë financuar më së shumti nga bankat, ndërsa bizneset e sektorit të ndërtimit dhe të shërbimeve të tjera kanë shfaqur një rritje vjetore sa gjysma e normave të vitit 2024.

“Ka ndryshim që është i madh, kredia për ndërtimin është zvogëluar, edhe për shkak të një udhëzimi të Bankës së Shqipërisë që ka thënë të kihet kujdes për kreditimin për ndërtimin, jo vetëm për shkak të performancës së sektorit, por edhe sepse bankat duhet të kenë një portofol sa më të diversifikuar të kredisë për të mirën e qëndrueshmërisë së bankave”, u shpreh Spaho.
Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lek për biznese në gjashtëmujorin e parë të këtij viti shënoi 6.5%.
“Nëse tendencat ndërkombëtare për të bërë paqe në luftën Rusi-Ukrainë dhe do të kemi një qetësim, norma bazë e interesit do të vijojë të ulet dhe do të përfitojnë nga kredi më të lira. Individët do të investojnë më shumë, por edhe do të konsumojnë më shumë”, tha Mateo Spaho.
Pavarësisht rritjes së mëtejshme të kredisë për biznese gjatë gjysmës së parë të vitit, sërish shifrat tregojnë se bujqësia është më e nënfinancuara nga sektori bankar.
/vizionplus.tv