E Hënë, 2 Nëntor 2026

Më shumë se 340 të vdekur, forcat e shpëtimit gjejnë të tjera viktima nga musoni në Pakistan

Tri ditë pas një erë të fuqishme musonike, e bashkuar me përmbytje dhe rrëshqitje dheu në rajonet e Pakistanit dhe Kashmirit, bilanci i viktimave sa vjen e rëndohet.

Të paktën 344 banorë raportohet të kenë humbur jetën nga vërshimet e ditës së enjte në veri të Pakistanit, sipas të dhënave nga autoriteti vendor për fatkeqësitë natyrore.

Shumica e vdekjeve, mbi 328 raste, u zbuluan në provincën malore të Kiber-Paktunkvës. Drejtoria e Meteorologjisë ka sinjalizuar se i gjithë Pakistani Veriperëndimor do të përballet me reshje të mëdha shiu në orët në vijim, dhe banorët janë udhëzuar që të marrin masat.

Rreth dy mijë forca kërkim-shpëtimi ndodhen ende duke u përpjekur të gjejnë të mbijetuar në Buner, një tjetër distrikt malor i provincës më sipër, ku shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje masive të premten. Dhjetëra shtëpi u morën përpara nga vërshimi.

Sipas autoriteteve lokale, bilanci i përmbytjeve që nga fillimi i sezonit të musoneve përfshin rreth 650 jetë të humbura. Pesë persona gjetën vdekjen nga rrëzimi i një helikopteri qeveritar në mision shpëtimi. Ndër viktimat ishin edhe dy pilotët.

Sezoni i musoneve në Azinë Juglindore, nga muaji qershor deri në fund të shtatorit, sjell rreth tre të katërtën e gjithë sasisë vjetore të reshjeve, duke ndihmuar bujqësinë, por edhe duke u kthyer në një katastrofë natyrore. /AFP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›