Më shumë të rinj përdorues të drogës

Moshat më të reja po bëhen përdorues të drogës në Kosovë. “Në vitin 2004 mosha mesatare ka qenë 20.5 vjeç, ndërsa në vitin 2012 është 16.6 vjeç”, thekson Organizata Joqeveritare “Labyrinth”.
Sipas kësaj OJQ-je vitet e fundit dhe veçanërisht sivjet është vërejtur një rritje e numrit të përdoruesve të rinj, gjegjësisht nxënësve të shkollave të mesme dhe fillore, të cilët janë trajtuar nën përcjelljen e familjarëve.
“Ne mendojmë se një ndër shkaqet e kësaj rritje është mungesa e njohurive të duhura mbi drogat dhe pasojat e përdorimit, që vjen si rezultat i mungesës së programeve parandaluese me karakter vazhdues në shkollë. Mungesë e njohurive mbi problematikën e drogave është e dukshme edhe në mesin e mësimdhënësve.
Gjithashtu, mungesa e psikologut në shkollë, që do të ishte një urë lidhëse për identifikimin e hershëm të rasteve dhe adresimin e rasteve tek institucionet përkatëse për trajtim.
Ne vazhdimisht kemi qenë mirënjohës për të gjithë institucionet dhe individë të cilët kanë bërë përpjekje për të sensibilizuar çështjen e parandalimit dhe trajtimit të personave që vuajnë nga varësia e drogave. Andaj, ne plotësisht përkrahim propozimin e deputetit Burim Ramadani, për çështjen e përdorimit të drogave në shkollat fillore dhe të mesme.
Ne besojmë në mbështetjen e deputetëve në aprovim të këtij propozimi me qëllim të mbrojtjes të rinjve dhe promovimit të një shoqërie sa më të shëndoshë”, thekson “Labyrinth”.
OJQ ”Labyrinth” funksionon që nga viti 2002 dhe është e profilizuar në parandalim të përdorimit të drogave, me fokus të veçantë te të rinjtë dhe trajtim të personave të varur nga drogat. Që nga viti 2002 e deri më tani, në databazën e Labirintit janë regjistruar rreth 1000 përdorues problematik të drogës./Indeksonline/