Më shumë turistë në janar: Shtohen kërkesat për fluturime charter, këtë vit rritja deri në 20 për qind

Numri i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri gjatë janarit ka pësuar rritje me 14.5% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, sipas shifrave të INSTAT.
Tur-operatorët pohojnë se kërkesa e të huajve për të vizituar vendin tonë ka ardhur në rritje, veçanërisht për fluturime charter.
“Duke ju referuar trendit rritës, mendoj se do të kemi sërish rritje 15-20%. Kjo është evidentuar në kërkesat për turizëm të organizuar. Fakti tjetër që na bën të besojmë është se ne nga janari kemi pasur kërkesa për të shtuar fluturimet charter dhe i kemi refuzuar sepse nuk ka pasur më kapacitete. Kërkesat kanë ardhur nga tregu tradicional, Polonia Çekia, kanë ardhur edhe izraelitë. Këto tregje që sapo përmenda janë tradicionalë dhe kanë ardhur prej vitesh dhe i kishin siguruar kapacitetet, por kërkonin shtesa. Tregu izraelit është shtuar së fundmi dhe kishin kërkesa për kapacitetet. Linjat charter për izraelitët fillojnë që në fund të marsit, janë tre kompani që ofrojnë nga dy-tre fluturime në javë. Pra fluturimet i kemi nga prilli deri në tetor. Ndërsa tregu tjetër tradicional fillon nga mesi i majit deri në fund të tetorit”, tha Rrahman Kasa nga Unioni turistik shqiptar.
Dy muajt e parë të vitit kanë treguar edhe një rikthim të turistëve të Kosovës për fundjavë në Shqipëri.
“Fundjavat kanë pasur goxha lëvizje dhe hotelet, sidomos ato bregdetare kanë qenë me kapacitete plot. Turistët nga Kosova kanë qenë gjithmonë ata që kanë mbushur periudhën jashtë sezonit, kryesisht fundjavat dhe kjo u tregua edhe në këtë periudhën e fundit”, tha Kasa.
Referuar statistikave, në janar ka pësuar dyfishim numri i të huajve nga Afrika që kanë hyrë në vendin tonë, ndërsa në rritje ishin edhe ata nga Amerika e Azia./vizionplus.tv