E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me syrin e Martine Franck

Gazeta Shqip

Personazh 

Ajo fotografonte, sepse jetonte dhe jetonte, sepse fotografonte. Të paktën kështu i është përgjigjur pyetjes së një gazetareje se përse jetonte dhe çe shtynte të fotografonte. Në moshën 74-vjeçare, gruaja që ka bërë këtë pohim, ka ndërruar jetë. Ajo është e famshmja Martine Franck, një fotografe e kontrasteve të mëdha. Jetën profesionale e filloi duke bërë foto në Azi, një kontinent të cilin e vizitoi shpesh në atë periudhë fillestare të jetës. Ndërkohë ajo ishte e pasionuar edhe pas jetës së përditshme të asaj çka ndodhte rreth vendbanimit në Paris dhe në Provanse. Puna e saj karakterizohet nga mrekullimi pas gjërave të thjeshta, por edhe atyre që bien fort në sy. Në të përzihet intimja me atë që është e shpallur botërisht, e varfra me të pasurën, e anashkaluara me gjërat që janë në qendër të vëmendjes në dritat e skenës. Në qendër të fokusit të saj kanë qenë edhe njerëz të famshëm të kulturës së momentit, portrete që vetëm asaj ia dhanë të drejtën ti bënte. Duke filluar nga i famshmi Marc Chagall e deri te Seamus Heaney.

Franck, gjithsesi, nuk ishte në një mendje me opinionin e kolegut të saj të agjencisë Magnum Eev Arnold, sipas së cilës nuk mund të jesh fotograf i mirë nëse nuk fut hundët kudo. Franck, gjithnjë një njeri shumë modest, ka thënë: Mendoj se në të ritë e mi e zgjodha fotografinë si një mjet për tu shprehur, ndërkohë që vetë kam qenë shumë e ndrojtur dhe nuk më ka pëlqyer asnjëherë protagonizmi. Për këtë arsye fotografia më është dukur mjeti ideal për një gjë të tillë. Vetëm kësisoj mund tu thosha njerëzve atë që ndieja dhe tu përcillja artin tim, por pa u folur dhe pa i kontaktuar.

Në vitin 1970, ajo u martua me fotografin e famshëm francez dhe bashkëthemeluesin e agjencisë fotografike Magnum Henri Cartier-Besson. Çifti bashkëpunoi për një seri personazhesh dhe portretesh, në të cilat doli më në pah temperamenti dhe talenti i fotografes.

Franck ishte bija e një bankieri belg dhe një britanikeje. I ati, me fillimin e luftës, iu bashkua ushtrisë britanike. Pjesa tjetër e familjes evakuoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e kaloi luftën në Long Island e në Arizonë. Ajo vetë u shkollua më pas në Europë dhe studioi histori arti në Madrid e në Paris. Por ndërsa shkruante temën e diplomës e kuptoi se e ardhmja dhe pasioni i saj nuk ishte bota akademike, por jeta jashtë me të mirat e të këqijat e realitetit. Në këto rrethana ndërmori një udhëtim në Kinë me kamera me vete dhe zbuloi një shumëllojshmëri dhe tërësi kulturash që e mrekulluan dhe të cilat i përcolli edhe në Perëndim. Në rrugën e kthimit ndaloi në Kamboxhia, Vietnam, Turqi. Kryesisht ka përdorur gjatë gjithë karrierës së saj filmin bardhë e zi. Ngjyrat i ka përdorur në të rrallë. Me tu kthyer në Francë ajo punoi fotografe për revistën Time-Life, duke pasur dhe zhvilluar një teknikë të tërën të sajën. Mentorët e saj në profesion kanë qenë meshkuj, por ajo cilëson si kolegë që e kanë ndihmuar shumë edhe femrat fotografe të tilla, si Julia Cameron, për sa u takon portreteve, dhe Dorothea Lange për fotot e peizazhit. Nga e para mori dëshirën dhe pasionin për të sjellë në foks të varfrit, të vuajturit e periferive parisiene dhe portretet që bëri janë të jashtëzakonshme, plot shprehje dhe jetë. Ndërsa nga e dyta mori pasionin për figurat gjeometrike, për format e mrekullueshme të natyrës. Asaj i pëlqente loja e dritave dhe e hijeve, e përthyerjes së tyre. Loja e syrit të fotografit para se të bëjë shkrepjen dhe momenti kur vendoset për ta bërë atë dhe për të fiksuar në përjetësi një çast të vetëm. Edhe vetë fotografes i ka pëlqyer gjithmonë ky gjurmim i dritës dhe hijes, për të kapur ndoshta atë zonë të mesme që nuk duket rëndom, por që mund të kapet vetëm në momentin kur ajo vendos që të bëhet e pranishme. Pjesa më e madhe e punëve të Franck ka dalë në faqet e revistës Life, Fortune dhe Vogue. Për këto revista ajo ka ofruar shumë portrete njerëzish të famshëm dhe të zakonshëm. Në vitin 1966, kur Franck takoi Cartier-Bresson, ishte pikërisht momenti kur Magnum solli për herë të parë traditën e fotografive humanitare. Por duke qenë se e kishte bashkëshort, pati frikë se po të ishte pjesë e agjencisë së tij mund të humbiste në hijen e madhe të saj dhe vendosi që të bëhej pjesë e një tjetër agjencie personale me fotot e saj. Një ekspozitë ku kishte vënë gjithë punën e mundin, dhe kur pa se në gazeta shkruhej paraprakisht se në ekspozitë do të ishte i pranishëm edhe i shoqi, vendosi që ta anulonte. Pas rënies së agjencisë Vu, ajo u bë pjesë e një tjetër agjencie, asaj Viba, në vitin 1972, por edhe kjo agjenci nuk e pati të gjatë dhe në vitin 1980 falimentoi. Më në fund, vetëm në vitin 1983 vendosi që të bëhej pjesë e agjencisë Magnum. Ajo ishte ndër të paktat gra që u pranuan në këtë agjenci dhe madje ishte zëvendëspresidente e saj deri në vitin 1998. Në kuadrin e projekteve humanitare dhe të luftës së kësaj agjencie, Franck vazhdoi projektet e saj të mëparshme me personat dhe zonat e marxhinalizuara. Në atë kohë realizon edhe një libër për zonën veriore të Irlandës së Veriut me pamje të jashtëzakonshme vendesh dhe njerëzish. Ajo ka qenë gjithmonë një feministe, por asnjërit prej librave të saj nuk u vuri tituj të mëdhenj dhe pompozë me emrin femër në to.

Gjatë viteve të bashkëjetesës dhe të punës në Magnum, si ajo dhe i shoqi ndërmorën një projekt shumë interesant në Bashkimin Sovjetik në momentin e fundit të tij. Është një projekt që u bë shumë i famshëm, të cilit i referohen edhe sot fotografët, gazetarët dhe dokumentaristët kur duan të flasin, apo të ilustrojnë momente të asaj kohe. Për hir të së vërtetës ata patën edhe shumë akses në jetën e vendit, edhe për faktin se në Rusi, në atë kohë, me ardhjen e Gorbaçovit shtrëngesa karakteristike për vitet e vështira, kishte filluar të lirohej dhe tashmë ishte më e mundur të fotografoje edhe në vendet që dikur cilësoheshin si të ndaluara.

Ndër punët e shumta të saj ishte edhe një libër me portrete të të shoqit. Ai ishte gjithashtu një njeri shumë i ndrojtur dhe që nuk i pëlqente të binte në sy dhe në këtë libër, përmes fotove dhe këndvështrimeve të ndryshme, del fare mirë në pah kjo pjesë e karakterit. Sidomos aty ku ai është marrë, nga pas, ndërsa ecën me trupin dhe kokën e vogël, në një mjedis të zhytur në një gjysmëhije, si muzg. Franck nuk donte kurrë që të tjerët, veçanërisht kolegët, të thoshin se ajo jetonte nën hijen e tij dhe se ai ishte më i zoti. Ndaj asnjëherë nuk ka dashur që lidhja e tyre të merrte më shumë rëndësi sesa kishte. Sa për të shoqin ai nuk ka qenë kurrë një mentor i saj, por shpesh një kritik. Në të mirë e në të keq kjo i ka vlejtur asaj, pavarësisht të gjithave. Dhe në fund ajo ka pasur edhe një vlerësim: Henri ka qenë për mua kritik dhe mbështetës shumë profesionist, si dhe një mbështetës i ngrohtë në momentet e mia më të brishta, një koleg me të cilin kam marrë dhe dhënë përvojë. Ata patën një vajzë bashkë, Melanie, një tjetër arsye kjo për Franck që të mos largohej kurrë për një kohë të gjatë larg shtëpisë për punë, por të qëndronte pranë së bijës. Për njerëzit që e kanë njohur çiftin ata ishin vërtet një çift shumë i rrallë që e mbështesnin njëri-tjetrin duke ruajtur edhe origjinalitetin e tyre. Në vitin 2002, ajo punoi për të lançuar fondacionin me emrin e të shoqit dhe më pas hapi edhe disa galeri të sajat në Paris. Mbahet si një nga fotografet më të zonjat të kohës sonë.

Me syrin e Martine Franck burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›