Me sytë e Aleatëve

Miqtë e mi shqiptarë (Mes amis albanais et moi). André Kertész (1894-1985). Foto e vitit 1918.
Elsa Demo
I riu me uniformë i ulur në pragun e këtyre vendasve, – nuk është më shumë se 22 vjeç, është operator ushtarak i ngarkuar për reportazhe lufte në Ballkanin e Luftës së Parë Botërore. Është i hollë e i mbathur lehtë; ndërsa vendasit kanë trupa të rrumbullt dhe janë me opinga ose zbathur. Ai i ka të lidhura duart para në gjunjë si për lutje, ndërsa vendasit i mbajnë zgjidhur, me njërën dorë kapin gjurin si top lecke, me tjetrën cingaren apo çibukun. Ai është i rruar taze; ata të rreshkur nga dielli dhe burrat kanë mustak. Ai quhet André Kertész nga Budapesti dhe është autori i kësaj fotoje, ndërsa këta quhen miqtë e tij shqiptarë, pa përcaktuar saktë vendin dhe origjinën. Fotoja është e vitit 1918. Legjenda e saj thotë Mes amis albanais et moi (Miqtë e mi shqiptarë dhe unë). Është nxjerrë nga negativi i autorit në pllakë xhami në bromur argjendi që ruhet në koleksionet e Médiathèque de lArchitecture et du Patrimoine të Ministrisë franceze të Kulturës, në Paris.
Ajo dhe legjenda e saj është zgjedhur për afishe dhe titull i ekspozitës që u përurua dje në Qendrën Kulturore Vangjush Mio të Korçës. Prezantohet për herë të parë bashkë me 98 imazhe të Korçës në vitet 1917-19. I ka koleksionuar dhe kuruar Valter Gjoni.
Valteri, specialist kulture me përvojë i pushtetit lokal në Tiranë, është i dhënë pas koleksioneve fotografike mbi historinë dhe botën shqiptare. Cikli që ka zgjedhur ka në fokus vetëm territorin e Republikës Autonome të Korçës. Janë realizuar nga personalitete vërtet të mëdha të fotografisë që kanë qenë në radhët e ushtrisë franceze, në radhët e Armatës së Orientit, thotë Valteri për Shekullin. Kërkimi i Valter Gjonit nisi nga një artikull i Robert Vaucher-së, gazetar dhe fotograf që ka raportuar nga vendet e Ballkanit për gazetën franceze LIlustration gjatë luftës.
Fotot e koleksionit janë të pajisura me përshkrime të vetë fotografëve. Aty jepen vendet, bile edhe vetë situatat, shton kuratori. Për historikun e vendit tonë ky fond që qëndron i heshtur dhe i papublikuar flet mjaft qartë. Ai është realizuar nga reporterët ushtarak të terrenit dhe pasqyron saktë situatën luftarake të Luftës së Parë Botërore në territorin shqiptar dhe atë ballkanik. Valterin e ka impresionuar për shembull, Pallati i Qeverisë, godina ku u shpall Republika Autonome e Korçës, e quajtur në legjendat e këtyre fotove Palais de Gouvernement. Momenti historik është ky: Më 10 dhjetor 1916, Komandanti francez Henri Descoins, i ndodhur përballë një lëvizjeje të fuqishme patriotike shqiptare, që kërkonte me çdo kusht largimin e ushtrisë grekë, pranoi që të shpallej Republika Shqiptare e Korçës, me një këshill qeveritar me 12 persona, një gjykatore, drejtori e financave, organe policore dhe te xhandarmërisë, drejtoria e arsimit, zyra botërore e tjerë. Këshilli qeveritar kishte funksione të fuqisë ekzekutive dhe legjislative, ishte organi suprem i Republikës. Gjuha zyrtare ishte shqipja dhe flamuri i Krahinës autonome, ai shqiptar, me një shirit të trengjyrëshit francez. Protokolli u firmos nga të dyja palët dhe më pas Themistokliu doli në ballkon dhe ngriti flamurin së bashku me Kolonelin Descoins. Pra është një moment i luftës franko-shqiptare kundër çetave shoviniste, pseudonacionaliste që lëviznin në atë territor. E pikërisht ai moment celebrimi për të cilin flet në një artikull në LIllustration Robert Vaucher, u bë shkas që Valter Gjoni ti futet punës për të nxjerrë një koleksion. Edhe ky artikull, Aleatët në Ballkan, zë vend në ekspozitën Miqtë e mi shqiptarë dhe unë.
Prej kësaj linje kuratori doli te fotoreporterë të tjerë André Kertész, T. Dubray, Frederique Cognet edhe Christian Martel. Kaq munda sepse një pjesë e mirë, që nuk arrita ta deshifroj, mban kodin ushtarak të reporterëve. Këta janë njerëz që kanë përdorur kode gjatë luftës. Normalisht kanë punuar në seksionin e fotografisë e të filmit të ushtrisë prej vitit 1915. Ky seksion përbëhej nga 10 persona për të realizuar reportazhet e luftës së Parë Botërore në gjithë territorin e Ballkanit, jo vetëm në Shqipëri. Prej tij janë nxjerrë afro 100 imazhet e ekspozitës.
Bashkëjetesa franko-shqiptare, bashkëjetesa e ushtarëve me popullin e Korçës, është një tjetër element që evidenton kuratori. Sheh ushtarë francezë në kishë, në xhami, me familjet e fshatarëve, disa shtëpi të vendasve që janë përdorur si pjesë bunkeri për ushtrinë franceze të asaj kohe. Përfundimi është: një copë Shqipërie nga Lufta e Parë Botërore që shikuesi ynë nuk e njeh.
Fotografitë janë stampuar dhe punuar me kujdes nga mjeshtri i fotografisë zyrtare Petrit Kumi, i cili i ka riaftësuar dhe risjellë me cilësi mjaft të mirë, në dimensionin 30×40 cm.
Ekspozita prezantohet nga Ambasada e Francës, Aleanca Franceze e Korçës me mbështetjen e Bashkisë së Korçës. Rri hapur deri më datë 27 mars kur mbyllet Pranvera e Frankofonisë.
Koha
Lufta e Parë Botërore ishte në zhvillim. Shqipëria ishte bërë shesh beteje. Në Korçë, ishin vendosur forcat ushtarake greke. Rreziku i copëtimit dhe aneksimit të Shqipërisë së Jugut, nga grekët, ishte i madh. Pikërisht në këtë periudhë forcat patriotike shqiptare ngritën popullin në këmbë, për ti dalë zot vendit, veçanërisht patrioti i shquar Themistokli Gërmenji, duke përfituar nga rasti i shtrirjes së ushtrisë franceze në Korçë dhe në qarkun e saj, ngritën një komision, dhe në emër të popullsisë së krahinës i kërkuan forcave franceze, largimin e grekëve nga Korça dhe ngritjen e një administrate shqiptare.
Dikur
Korçë: Palais du gouvernement Bashkia, 27 janar 1917. Koloneli Descoins, vullnetarët shqiptarë dhe xhandarmëria. Në mes tyre Themistokli Gërmenji. Autor i fotos Operatori K.
Sot
Valter Gjoni: Godina Monument Kulture e Qeverisë së Republikës së Parë Shqiptare dhe e Bashkisë së parë të qytetit të Korçës që ka zënë vend nderi në koleksionin 95 vjeçar të Ministrisë së Kulturës Franceze është lënë në mëshirë të fatit. Unë nuk po e komentoj por po evidentoj disa foto.
Mënyrë jetese
Amerikanët në Korçë: Kuzhinë ambulante amerikane. 24-27 janar 1917.
Nudo
Ja edhe një foto e André Kertesz (1894 Hungari – 1985 Nju Jork) që mban datën 21 korrik 1921. Të ishte kthyer vallë Kertesz pas lufte në Shqipëri. Është një nudo gruaje që ruhet me legjendën e thjeshtë Albania. Kertesz punoi si fotograf amator në vendlindje, Budapest. Më 1925 shkoi në Paris dhe filloi karrierën e fotografit të lirë ku takohet me artistë të shquar si Brassaï. Më 1933-1936 botoi tri albume fotografike. Emigron në ShBA në 1936, u vendos në Nju Jork, ku siguron jetesën duke fotografuar arkitekturë dhe interiere për revista si House dhe Garden. Dhe vetëm kur doli në pension në moshën 68-vjeçare Kertész qe i lirë të fokusohej sërish në tema më personale që e kishin joshur atë si amator në të ri.