Rëndohet gjendja e Agron Aliajt

Agron Aliaj / Foto arkiv
Nestor Kraja
Artisti i Popullit, Agron Aliaj, koreografi i mirënjohur, krijuesi i shumë baleteve nacionale dhe njëkohësisht një nga njerëzit e mirënjohur për kulturën dhe talentin e tij ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pas aksidentit që pësoi gati dhjetë më parë. Gjendja e artistit është rënduar. Me shtyllën kurrizore të dëmtuar, me duar të paralizuara e me brinjë të thyer, ai kaloi mbrëmë, si shenjë e komplikacioneve, edhe një bllokim të frymëmarrjes. Ky artist i nderuar pret të operohet për tu shëruar. Sipas mjekëve që e ndjekin, Agroni duhet të operohet në ndonjë klinikë të specializuar jashtë vendit, por deri më sot, pas dy javësh nuk ka asnjë lajm konkret mbi kohën dhe vendin e kryerjes së operacionit. Agroni dhe ne të gjithë po presim burokracinë shqiptare ti risjellë atij normalitetin e lëvizjes, me artin e të cilës u mor gjatë gjithë karrierës së tij. Tani në fund të jetës ai po pret atë mirënjohje jetike për punën dhe veprën titanike dhe të mrekullueshme që i dhuroi njerëzve dhe vendit të tij.
Në emër të gjithë artistëve shqiptarë që kam takuar dhe kontaktuar gjatë gjithë këtyre ditëve dhe në emrin tim personal i kërkoj të gjitha organeve shtetërore të lëvizin dhe të bëjnë çështë e mundur që koreografit të njohur Agron Aliaj ti bëhen të gjitha shërbimet e nevojshme për ta çuar sa më parë në një spital të specializuar i cili do të marrë përsipër ta operoje e ta risjellë atë në gjendje normale.
Me nderime
Kompozitor, Pedagog në Universitetin e Arteve Tiranë