E Diel, 1 Nëntor 2026

Media amerikane “TheStreet”: Shqipëria në hartën e tendencave të reja turistike për vitin 2027

TIRANË, 28 tetor /ATSH/- Shqipëria po fiton vëmendjen e turistëve të huaj, si një destinacion miqësor me buxhetin, falë kostos më të ulët të udhëtimit në vitin 2027, shkruan  media amerikane e biznesit dhe financave “TheStreet”.

Sipas raportit vjetor të tendencave të udhëtimit për vitin 2027, të publikuar nga platforma e rezervimeve “Skyscanner”, Tirana është ndër qytetet që po tërheqin turistë që zgjedhin destinacionet e tyre bazuar në kursin e këmbimit të valutave.

Raporti e përfshin këtë prirje te turizmi i orientuar nga kursi i këmbimit, ku turistët zgjedhin vende, ku paratë e tyre mund të shpenzohen më gjatë dhe të mbulojnë më shumë shërbime.

Sipas një ankete me 28 000 turistë, 41% e të anketuarve thanë se kishin ndryshuar destinacionin për të përfituar nga një kurs më i favorshëm këmbimi. Te Gjenerata Z, kjo përqindje arrin në 72%.

Tirana përmendet krahas qyteteve të tjera ndërkombëtare, si Da Nang në Vietnam, Wrocław në Poloni dhe Bishkek në Kirgistan, si një destinacion që po tërheq interesin e turistëve, që kërkojnë të përfitojnë më shumë nga buxheti i tyre.

“Turistët po kuptojnë se kursi i favorshëm i këmbimit mund t’i ndihmojë të përfitojnë më shumë nga paratë e tyre gjatë udhëtimeve. Kjo u mundëson të qëndrojnë më gjatë në destinacionet që zgjedhin, pasi shpenzimet janë më të ulëta”, tha Isla dos Santos, drejtuese e “Skyscanner” për marrëdhëniet tregtare dhe zhvillimin e biznesit në Amerikën Veriore dhe Jugore, në një intervistë për “TheStreet”.

Ai solli si shembull dallimin mes kostos së jetesës në vende të ndryshme, duke theksuar se me 100 dollarë amerikanë mund të përballohen shumë aktivitete gjatë një jave në Vietnam, ndërsa e njëjta shumë në Nju Jork mund të shpenzohet brenda një dite.

Sipas raportit parashikohet një rritje e numrit të turistëve që pritet të vizitojnë Shqipërinë, ndërsa Tirana renditet mes destinacioneve që po fitojnë vëmendje në këtë tendencë të re të udhëtimeve.

Tirana ofron një kombinim të historisë, kulturës, gastronomisë dhe jetës së gjallë urbane, ndërsa çmimet e akomodimit, ushqimit dhe transportit mund ta bëjnë atë një alternativë tërheqëse për turistët që udhëtojnë me buxhet të kufizuar.

Nga Sheshi Skënderbej dhe Pazari i Ri te Piramida dhe muzetë Bunk’Art, kryeqyteti ofron mundësi për të eksploruar historinë dhe kulturën shqiptare, si dhe për të shijuar kuzhinën vendase.

Tirana shërben gjithashtu si një pikënisje për udhëtime drejt qyteteve historike dhe atraksioneve të tjera të vendit.

Kostoja e qëndrimit: Sipas një udhëzuesi turistik të përditësuar në shtator 2026, një hotel i kategorisë së mesme në Tiranë, kushton rreth 50–90 euro nata.

Ushqimi dhe transporti: Të dhënat e “Numbeo”-s (një platformë online që mbledh dhe publikon të dhëna për koston e jetesës në qytete dhe vende të ndryshme të botës), një vakt në një restorant ekonomik kushton rreth 800 lekë

Sa më fleksibël të jetë turisti, aq më shumë mund të përfitojë nga buxheti

Sipas Dos Santos, fleksibiliteti në zgjedhjen e destinacionit dhe në planifikimin e udhëtimit, u mundëson turistëve të përfitojnë më shumë nga paratë që kanë në dispozicion.

Ndërkohë, tendencat e tjera të udhëtimit për vitin 2027, të identifikuara nga “Skyscanner”, përfshijnë edhe udhëtimet e planifikuara për blerjen e produkteve të veçanta.

Kjo tendencë, e njohur si “merch tourism”, lidhet me udhëtimet që organizohen me qëllimin për të blerë veshje ose produkte të tjera nga ekipe sportive dhe dyqane lokale, të cilat nuk gjenden lehtësisht në vende të tjera.

Një tjetër tendencë është ajo që “Skyscanner” e quan “grand odysseys”, e cila lidhet me udhëtime më të gjata, të frymëzuara nga historia dhe qytetërimet e lashta.

Kjo tendencë mund të përfshijë vizitat në vende historike dhe eksplorimin e qytetërimeve të së kaluarës.

Interesi për këtë lloj udhëtimi mund të jetë ndikuar edhe nga filmi epik “Odisea”, i regjisorit Christopher Nolan, i publikuar në vitin 2026.

Sipas anketës së “Skyscanner”, 34% e 28 000 turistëve të pyetur, kanë tentuar këtë vit të planifikojnë një udhëtim të frymëzuar nga filmi.

Për më tepër, 43% e turistëve të Gjeneratës së Mijëvjeçarit dhe 42% e atyre të Gjeneratës Z kanë shqyrtuar mundësinë e rezervimit të një udhëtimi të frymëzuar nga Troja ose Greqia e lashtë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›