Media gjermane, e mbushur me klishe për myslimanët
Turqit përgjithësisht cilësohen si mafiozë, të tjerët si të rrezikshëm
Sipas një studimi, myslimanët në Gjermani mendojnë se ata trajtohen negativisht në media. Është kjo e vërtetë? Hulumtimi në media tregon se një tendencë e tillë është vënë re që pas sulmeve të shtatorit 2001 në Nju Jork.
Nga “Vrasjet Döner” deri te “Mafia turke” ishin epitetet që qarkulluan për vite të tëra në mediat gjermane kur flitej për serinë e vrasjeve të nëntë emigrantëve turq dhe një greku. Më pas në nëntor të vitit 2011 rezultoi se vrasjet mes viteve 2000-2007 ishin kryer nga grupe terroriste neonaziste.
Për Semiya Simsek, e bija e viktimës së parë, këto fjalë janë të rënda, cinike dhe raciste. Kështu e përshkruan ajo në librin e saj Atdhe i dhimbshëm që flet rreth vrasjes së të atit, Enverit. “Tani të gjithë e shohin se këto terma janë racistë, por atëherë nuk gjykonin kështu, thotë ajo në një intervistë për DW rreth mënyrës së trajtimit të çështjes nga mediat, që kur u zbulua se vrasjet ishin kryer nga ekstremistët e djathtë dhe jo nga familjarët e tyre. Më 6 maj 2013 do të nisë procesi gjyqësor ndaj neonazistëve që kryen vrasjet.
Ishte ky vetëm një përjashtim i turpshëm, nga mediat gjermane dhe organet hetimore, apo ky ishte imazhi i përhapur për myslimanët deri në atë kohë nga mediat? Fondacioni Gjerman për Integrim dhe Migracion prezantoi në mars të këtij viti rezultatet e një studimi të zhvilluar në verën e vitit 2011 ku u pyetën 9200 njerëz. 74 për qind e të pyeturve kishin rrënjë familjare jashtë Gjermanisë dhe 71% e të pyeturve mendonte se trajtimi i myslimanëve në mediat gjermane ishte disi negativ ose shumë negativ. Ndërkohë, te myslimanët e pyetur kjo shifër ishte 82%.
“Rezultatet e studimit konfirmuan shqetësimet e shumta që kemi dëgjuar nga myslimanët në Gjermani, thotë Aiman Mazyek, Kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani (ZMD), një nga katër organizatat islamike më të mëdha në Gjermani. Në veçanti pas sulmeve të 11 shtatorit, myslimanët janë parë me dyshim dhe trajtimi negativ i medias është theksuar akoma më shumë.
“9/11 ishte sigurisht një pikë kthese dhe bota pati një konfigurim të ri, ku një rol të rëndësishëm luajti edhe media”, thotë Margreth Lünenborg, drejtore e Kolegjit Ndërkombëtar të Gazetarisë pranë Universitetit të Lirë të Berlinit. “Të mirët dhe këqijtë, ky ishte termi i ri dhe që u përdor për të theksuar ndryshimin midis botës së krishterë perëndimore dhe botës orientale”, thotë profesoresha e gazetarisë.
Sipas Zyrës Federale të Migracionit në Gjermani janë më shumë se katër milionë besimtarë myslimanë, çka përbën 4 për qind të popullsisë. Femrat e mbuluara me shami dhe meshkujt me mjekër janë klishe prezente në mediat gjermane? “Studimi tregon gjithashtu se myslimanët janë bërë edhe simbol i të tjerëve. Femrat e mbuluara me shami janë stereotip jo vetëm për myslimanët, por edhe për jo të krishterët, joperëndimorët dhe të gjithë ata që nuk i përkasin kulturës tonë nacionale, thotë Lünenborg.
Ideja se gazetaria nuk mund të tregojë gjithçka që ndodh në jetë është e qartë edhe për Lünenborg, e cila ka studiuar për gazetari. Në rastin e myslimanëve në mediat gjermane ka një problem, sepse ata paraqiten gjithmonë me stereotipa. “Realiteti mediatik na tregon vetëm një pamje të kufizuar të jetës myslimane në Gjermani: më shumë probleme e konflikte se histori suksesi”, thotë Lünenborg nga Universiteti i Lirë i Berlinit.
Mazyek, i cili është drejtor i ZMD që prej vitit 2010, ka vënë re se gazetarët sot dinë më shumë për Islamin në krahasim me 20 vjet më parë. “Mund të vihet re një cilësi e mirë e raportimit dhe natyrisht që një gjë e tillë është pozitive. Këtë gjë e kam vënë re te raportimi i mediave rreth Ramazanit, muajit të agjërimit të myslimanëve”. Gjithashtu, edhe numri i temave që kanë të bëjnë me Islamin është rritur. Por edhe këtë gjë, Mazyek e sheh si problematike, sepse mungon përzgjedhja e raportimeve. “Qëndrimet e ekstremistëve kundër Islamit dhe myslimanëve gjejnë një hapësirë të madhe në raportimet e mediave”, thotë Mazyek.
Lünenborg, e cila ka kryer shumë intervista me emigrantët për studimin, e di se “shumë besimtarë myslimanë kanë dëshirë të bëhen pjesë e jetës së përditshme në Gjermani – si shoferë autobusi apo trajnerë sportivë. Në të vërtetë, në një vëzhgim të jetës së përditshme në Gjermani vë re se ajo është shumëdimensionale, por një gjë e tillë duhet të pasqyrohet edhe në politikat editoriale. Në Gjermani vetëm 5 për qind e gazetarëve janë me prejardhje të huaj.
Ekspertja e shkencave të komunikimit Lünenborg është shumë e kujdesshme kur flet për efektet e medias në shoqëri. “Mënyra në të cilën media krijon imazhet në mendjen e publikut, madje edhe për myslimanët, është mjaft komplekse. Por këto imazhe gjithashtu nuk janë aspak të pakuptimtë”. Dwelle
Media gjermane, e mbushur me klishe për myslimanët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email
