E Diel, 1 Nëntor 2026

​Mediat italiane shkruajnë për Zhegrovën pas golit ndaj Austrisë

PRISHTINË, 28 shtator /ATSH/ Goli i Edon Zhegrovës në ndeshjen ndaj Austrisë ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave italiane, të cilat kanë vlerësuar formën e mirë që po kalon anësori kosovar.

Gazetari italian Alfredo Pedullà i ka kushtuar vëmendje paraqitjeve të fundit të Zhegrovës, duke theksuar se ai po bëhet një prej futbollistëve që kërkon të marrë vëmendjen te Juventusi, pas një sezoni të kaluar në të cilin kishte rol më të kufizuar.

Sipas tij, Zhegrova ka realizuar tre gola dhe ka dhuruar një asistim në katër ndeshjet e fundit, duke grumbulluar 187 minuta në paraqitjet me Juventusin dhe Kombëtaren e Kosovës.

Pedullà shkruan se Zhegrova hyri nga stoli në ndeshjen ndaj Austrisë, kur Kosova ishte në disavantazh 2:0, ndërsa më pas realizoi nga pika e bardhë për të ngushtuar epërsinë e vendasve.

Në Itali po ashtu kanë rikujtuar edhe paraqitjen e tij me Juventusin ndaj Sassuolos, ku kosovari shënoi dy gola, pavarësisht humbjes së skuadrës torineze.

“Me Zhegrovën në këtë gjendje, e cila është përmirësuar atletikisht krahasuar me sezonin e kaluar, Spalletti mund të buzëqeshë”, shkruan Pedulla, duke iu referuar formës së futbollistit dhe trajnerit të Juventusit, Luciano Spalletti.

Kështu, paraqitjet e fundit të Zhegrovës kanë marrë vëmendje jo vetëm në Kosovë, por edhe në Itali, ku pritshmëritë për kontributin e tij te Juventusi janë rritur.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›