Mediat kroate: Josip Kuzhe, pranë Dinamos së Zagrebit
Me rastin e festës së 100-vjetorit të klubit të Dinamos së Zagrebit, mediat kroate kanë folur edhe për të ardhmen e pankinës së këtij klubi. Në plan të parë është vënë trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, i cili shihet si trajneri i ardhshëm i këtij ekipi. Mediat kroate shkruajnë, se në rast të largimit të teknikut aktual, Vahid Halilhoxhiç, i cili shpesh herë ka folur për mundësinë e kthimit të tij në Francë, kandidati numër një është Josip Kuzhe. Edhe vet tekniku ka pranuar se i është ofruar tri herë radhazi ky post gjatë kohës që vazhdon të drejtojë kuqezinjtë, ndërsa duhet theksuar se ai nuk e ka rinovuar ende kontratën e tij me Federatën shqiptare të futbollit, duke kërkuar që këtë ta bëjë në qershor. Në këtë kontekst është i mundshëm një skenar që e sheh Kuzhen në krye të Dinamos së Zagrebit, nga tifozët e të cilit ai nderohet si asnjë lojtar dhe trajner tjetër që ka kaluar te kjo skuadër.