Rrogat dhe mungesat, Tirana është në ajër
Tirana, ndonëse me keqardhje dhe shumë mllef, është munduar të arkivojë humbjen e pësuar kundër Skënderbeut. Trajneri u ka përsëritur dje lojtarëve se kjo është histori e mbyllur, ndaj të fokusohemi te pjesa e mbetur e kampionatit, si edhe te finalja e Kupës. Mirëpo hallet nuk kanë të sosur te bardheblutë, teksa rrogat dhe mungesat janë dy problemet që shqetësojnë skuadrën. Lojtarët, ndonëse nën zë, e pranojnë se ende nuk janë likuiduar për dy muajt e fundit, pra janarin dhe marsin. Duke qenë se ky është profesioni i tyre i vetëm, atëherë duan edhe të ardhurat që vijnë nga futbolli. Kujtojmë, që presidenti Refik Halili, gjatë mbledhjes së organizuar ditën shtunë, theksoi se lojtarët do të likuidoheshin shumë shpejt për dy rrogat e prapambetura. Kreu i klubit në lidhje me këtë çështje shprehimisht tha: Kemi dy muaj pa shpërndarë rrogat dhe i premtoj lojtarëve se do ti marrin shumë shpejt. Për momentin jam në pritje të marrjes së një fondi nga Federata, atë të titullit që është 65 mijë euro, si edhe një tjetër fond, që në total shkon tek 115 milionë lekë të vjetra. Me këto parà, unë, do të shlyej kokërr më kokërr çdo futbollist. Veçse dua të theksoj diçka se rroga e muajit prill do të mbetet peng e finales së Kupës së Republikës, në rast se e arrijmë këtë trofe lojtarët do të paguhen, shto këtu që do tu jap edhe një premio special. Mirëpo, futbollistët para se të shkojnë te muaji prill, fillimisht duan të marrin në dorë dy rrogat e prapambetura.