Mediat malazeze: Arrestohet Kryetari i Komunës së Budvës. Zyra e Milo Bozhoviç e kundërshton: Është marrë në pyetje

Kryetari i Komunës së Budvës, Milo Bozhoviç është arrestuar mëngjesin e kësaj të enjte (13 prill) gjatë një aksioni policor që po zhvillohet në disa qytete malazeze.
Vijesti bën me dije se arrestimi i Bozhoviç nga zyrtarët e Departamentit të Policisë Speciale, është bërë me urdhër të të Prokurorisë Speciale të Shtetit (SDT). Bozhoviç është arrestuar në shtëpinë e tij në qendër të Budvës, ndërsa nuk bëhet me dije arsyeja e prangosjes së tij.
Sipas informacioneve të Vijestës, aksioni i policisë ka nisur në Budva, Cetinje dhe Podgoricë.
“Sipas urdhrit të Prokurorisë Speciale të Shtetit, me mbështetjen dhe ndihmën e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim dhe Zbatim të Ligjit – EUROPOL, Departamenti i Policisë Speciale, me ndihmën logjistike dhe operative të Njësisë Antiterroriste të Policisë , ndërmerr masa dhe veprime në kuadër të hetimeve në dy lëndë penale. Për privimin e mundshëm të lirisë së personave të caktuar dhe për rezultatet e masave dhe veprimeve në vazhdim publiku do të informohet me kohë”, tha prokurori i shtetit dhe zëdhënësi Vukas Radonjiç.
Por Zyra e Kryetarit të Komunës së Budvës ka hedhur poshtë lajmin e arrestimit të Bozhoviçit, teksa sqaron se ky i fundit është thirrur nga Prokuroria për t’u marrë në pyetje.
/rtsh.al/