Mediat serbe: Sejdiu dhe Thaçi nën siglën "UNMIK/Kosovo" në Slloveni
"Gjendet mënyra që edhe Beogradi, edhe Prishtina, të mund të marrin pjesë në Konferencën për Ballkanin që mbahet këtë muaj, në Bërdo në Sllovenisë". Gazeta serbe "Danas" citon burime, sipas të cilave Sejdiu dhe Thaçi kanë pranuar emrin e vendit "UNMIK/Kosovo", që ka qenë një nga kushtet e Serbisë për të marrë pjesë në këtë konferencë. Në materialet për punë të konferencës rajonale BE - Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 20 mars në Bërdo afër Kranjit, do të vihet në dukje se Kosova do të marrë pjesë me emrin "UNMIK/Kosovo", kurse në tavolina para pjesëmarrësve do të qëndrojë mbishkrimi vetëm me emrin e mbiemrin e tyre, pa u përmendur shteti. Sllovenia do të ftojë nga Kosova edhe përfaqësuesit e Prishtinës, edhe të UNMIK-ut, i ka deklaruar "Danas"-it e ngarkuara me punë në Ambasadën e Sllovenisë në Beograd, Jadranka Shturm - Kocjan. Konferenca do të organizohet sipas mënyrës së deritanishme të thirrjes së mbledhjeve joformale të BE-së. Organizatorët do të ftojnë në cilësinë e pjesëmarrësve zyrtarët më të lartë të institucioneve të Prishtinës dhe përfaqësuesit e UNMIK-ut. "Në materialet për konferencë duhet të jetë qartë e theksuar se Kosova prezantohet me emrin 'UNMIK/Kosovo', kurse para pjesëmarrësve në tavolina do të qëndrojë mbishkrimi vetëm me emrin dhe mbiemrin, pa u përmendur shteti nga vijnë. Po ashtu, sa i përket Kosovës, fillimisht do t'i jepet fjala përfaqësuesit të UNMIK-ut, e pastaj përfaqësuesit të institucioneve të Kosovës", citohet të ketë thënë Shturm - Kocjan. Kjo gazetë pohon të ketë informacione nga burime në BE se presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi kanë pranuar që me këto kushte të marrin pjesë në konferencë. Ambasadorët e Sllovenisë e të Kroacisë në Prishtinë, dy vendet të cilat në bashkëpunim me Këshillin e BE-së organizojnë konferencën në Bçërdo afër Kranjit, kanë biseduar me Sejdiun e Thaçin dhe ua kanë prezantuar formatin e mbledhjes së parashikuar, dhe ata kanë pranuar. Ndërkohë që menjëherë pas kësaj, ka ardhur edhe reagimi i Presidentit kosovar Sejdiu. Ai është shprehur se nuk do të marrë pjesë në Konferencë nën siglën UNMIK/Kosovo.