E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat turke, jehonë vizitës së kryeministrit Berisha

07-04-2012 / Gazeta 55

Shqipëria dhe Turqia bashkë për zbatimin e projektit të gazsjellësit TAP

Mediat turke të ditës së premte janë fokusuar në vizitën e kryeministrit, Sali Berisha në Turqi, një ditë më parë. Takimi i kryeministrit Berisha me kreun e qeverisë turke, Erdogan, presidentin Gyl dhe kryeparlamentarin Cicek ka mbushur faqet e të përditshmeve, të cilat i kanë konsideruar të rëndësishme për fuqizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Një nga diskutimet më të prekshme ka qenë projekti i “Trans Adriatik Pipeline” që përfshinë të dy territoret, turke dhe shqiptare.
Gazeta “Turkish Weekly” hapet me kryeartikullin; Kryeministri: Turqia bën çdo përpjekje për zbatimin e projektit TAP. Në këtë shkrim citohet fjala e Erdogan përpara gazetarëve se “Turqia ashtu sikurse Azerbajxhani po bën çdo përpjekje për zbatimin e projektit të gazit TAP”. Kryeministri turk është shprehur se Turqia është e gatshme të përdorë potencialin e saj të plotë për zbatimin e këtij projekti. Ai ka thënë se pas zbatimit të projektit në territorin turk faza e ardhshme do të jetë transporti i tij në Shqipëri e më pas transporti i gazit drejt Italisë.
Edhe gazeta tjetër “News Az” në faqen e saj të parë shkruan; Azerbajxhani po bën gjithçka të mundshme për zbatimin e projektit të Trans Adriatikut, të deklaruar nga kryeministri turk. Siç dihet, ka thënë Erdogan, gazi përmes Turqisë shkon në Gjeorgji dhe tashmë në axhendën tonë përfshihet edhe furnizimi me gaz i Italisë. Unë nuk përjashtoj që në të ardhmen gazi të furnizohet nga Shqipëria. Turqia është e gatshme të zgjerojë mbështetjen e Shqipërisë në këtë çështje ka thënë Erdogan. Ndërkohë kjo media komenton edhe vizitën e mëparshme të kryeministrit Berisha në Azerbajxhan dhe takimin e tij me presidentin e  këtij vendi, Ilham Aliyev ku ka thënë se tubacioni i gazit TAP, është me rëndësi jetike për sigurinë e gazit të Azerbajxhanit në tregjet europiane por edhe si një rëndësi jetike për sigurinë e energjisë dhe zhvillimit të Europës Lindore, rajonit të Ballkanit dhe Europës.
E përditshmja “Today Zaman” shkruan se “kryeministri shqiptar Berisha takohet me Erdogan dhe Gyl në Ankara”. Gazeta vlerëson marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe si në fushën ekonomike dhe atë diplomatike. Të dy vendet thuhet në shkrim ndajnë aspiratat për tu anëtarësuar në BE. Shqipëria dhe Turqia janë duke punuar së bashku në Afganistan si pjesë e misionit të NATO-s. Erdogan ka thënë se kishte bisedime shumë të frytshme me Berishën dhe se shumë shpejt do të vizitojë Shqipërinë pas një shkëputje tre vjeçare, thuhet në shkrim. Erdogan është shprehur për gazetarët se diskutimet me kryeministrin shqiptar u fokusuan në marrëdhëniet politike, ekonomike dhe ushtarake, ndërkohë që ka vlerësuar marrëdhëniet tregtare gjatë vitit të kaluar. Sipas kryeministrit turk vëllimet tregtare midis dy vendeve arrijnë në 400 milionë dollarë dhe kjo bie ndesh me potencialin e vërtetë të dy vendeve. Ai ka thënë gjithashtu se më shumë se 30 firma turke investojnë sot në Shqipëri dhe investimet e tyre i kanë tejkaluar të 1 miliardë dollarët. Erdogan ka thënë gjithashtu se në pesë vitet e fundit Turqia  i ka rritur me nëntë herë investimet në Shqipëri dhe po kërkon t’i shtojë më tej ato në vijim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›