“Edi Ramën e kemi lënë në rrugën e humbjes”
Ilir Meta përshëndet Konferencën Zgjedhore të LRI në Fier
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në konferencën zgjedhore të LRI-së në Fier. Gjatë fjalës së tij, Meta shpalosi prioritet e LSI-së për mbështetjen e rinisë, arsimit, punësimit por edhe profesionalizmit. Sipas tij, një tjetër hap i rëndësishëm do të ishte rifitimi i kohës së humbur në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Është koha për të fituar edhe atë kohë që është humbur me pa të drejtë sepse nuk mund të pranojmë që të mos respektojmë kohën, ajo është më e çmuar dhe më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër sepse çdo minutë e humbur është një cenim i të gjithë interesave tuaja dhe të të gjithë të rinjve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Nga Fieri ne i ftojmë të gjithë politikanët që të sillen me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive sepse vendi ka nevojë për vendime të të rëndësishme, ka nevojë për përgjegjësi të përbashkëta në këto moment kur bota, Europa dhe rajoni janë të tronditur nga një krizë mjaft serioze ekonomike dhe financiare”, ka theksuar Meta.
Meta i ka bërë apel politikës shqiptare tu përgjigjen aspiratave shqiptare, duke lënë mënjanë interesat partiake.
“Në këto momente Shqipëria nuk duhet të penalizohet më tej për shkak të interesave të ngushta partiake të cilitdo. Ndaj LSI do të vazhdojë të përqendrojë të gjithë energjitë e saj në prioritetin madhor të përshpejtimit të integrimit europian të vendit sepse kjo është një aspiratë e të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë aspirata e brezit të ri, e gjeneratave të ardhshme”, shtoi ai.
Sipas Metës, respektimi i rregullave nga shqiptarët pas liberalizimit të vizave tregoi se jemi qytetarë të denjë europianë. Ai vlerësoi të rinjtë e LRI-së, duke theksuar se zgjedhjet në të do sjellin dinamizëm dhe kualitet për t’u përballur denjësisht me sfidat e ardhshme.
“Jam shumë i kënaqur me këtë manifestim të sotmin kaq rinor, kaq entuziast, kaq pozitiv i cili tregon qartë se LRI e Fierit vazhdon të jetë një nga shtyllat më të fuqishme të LRI-së në të gjithë vendin. Natyrisht që kjo konferencë është ngjarje shumë e rëndësishme në prag të Konventës Zgjedhore të Lëvizjes Rinore për Integrim e cila jam i sigurt se do të sjellë një dinamizëm edhe më të madh dhe një cilësi edhe më të lartë të LRI-së duke treguar se ajo është e gatshme të marrë me vete përgjegjësi më të mëdha”, tha Meta. Sipas tij, Lëvizja Rinore për Integrim ka qenë dhe mbetet forumi rinor më aktiv në të gjithë Shqipërinë sepse LSI i ka krijuar dhe do t’i krijojë të gjithë hapësirat të rinjve dhe të rejave, për të qenë ndërtues të së ardhmes së tyre dhe të vendit tonë, për të qenë protagonist në të gjithë zhvillimet politike, në të gjitha sfidat kombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar në lidhje me deklaratën e kreut të PS-së Edi Rama gjatë një interviste për Radion Europa e Lirë se nuk do të ketë koalicion me këtë forcë politike në zgjedhjet e 2013-ës.
Gjatë një aktiviteti të LSI-së në kryeqytet, sekretari i përgjithshëm i saj Luan Rama ka theksuar se destruktiviteti i kryesocialistit Rama është ndëshkuar më herët nga vota e qytetarëve. “Ne nuk e kemi mendjen se ç`thotë Rama, vëmendja dhe energjitë tona janë për integrimin. Edi Rama ka zgjedhur të humbë, le të vazhdojë në këtë rrugë. Destruktiviteti i tij është ndëshkuar nga vota e qytetarëve”, u shpreh Luan Rama.
Duke e cilësuar kreun e PS-së si humbës, Luan Rama shtoi se ai do ta mbajë humbëse Partinë Socialiste për sa kohë do jetë drejtues i kësaj force politike.
Dy ditë më parë në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, kreu i PS-së foli me nota të ashpra kundër LSI-së, duke e cilësuar si forcë politike të papërfillshme dhe se formacioni i tij opozitar do fitonte 71 deputetë.