Mediet kosovare nuk i japin hapësirë diasporës

Mediet në Kosovë nuk po i japin hapësirë të duhur informatave nga diaspora, madje mërgatën kosovare vazhdojnë ta konsiderojë si çështje të dorës së dytë. Që të ketë një informim më objektiv kërkohet një qasje më proaktive nga mediet kosovare, kryesisht nga Radio Televizioni i Kosovës, si televizion publik.
Kështu u tha të shtunën në kuadër të konferencës organizuar nga projekti “Diaspora për Zhvillim” DfD, në mbështetje me Asociacionin e Gazetarëve Profesionist të Kosovës dhe platformes Albinfo.ch.Në këtë konferencë u prezantua hulumtimi me titull: "Përmirësimi i komunikimit dhe informimit ndërmjet Kosovës dhe diasporës"..
Hartuesit e këtij hulumtimi, Edona Musa dhe Kastriot Jaha prezantuan në mënyrë të detajuar qasjen që diaspora ka në mediet kosovare. Ata thanë se diaspora ka vazhduar të nëpërkëmbët nga mediat kosovare, për faktin se nuk i është dhëne hapësira e duhur në informim.
Edona Musa kishte vërejtje kryesisht në RTK, si televizion publik që nuk po i japin hapësirë të duhur diasporës. Ajo tha se mërgata shqiptare meriton trajtim më serioz. Përveç RTK’së ajo nuk ishte e kënaqur as në RTV21 as në Koha Vizion.
Sipas saj, janë dhënë vetëm disa emisione nga Turqia, por jo edhe nga Evropa dhe SHBA.
Kastrio Jahaj ndërkaq u fokusua në praktikat më të mira të vendeve të botës sa i përket raportimit nga diaspora. Ai mori si shembull Izraelin, ku nuk ka trajtim ndryshe diaspora nga ata që janë në vendlindje. Po ashtu si praktika të tjera ai mori edhe Moldavinë dhe shumë vende të tjera.
Ai tha se Kosova nuk trajtohet në nivelin e duhur sa i përket informacionit.
Edhe Bashkim Iseni, nga Albinfo.ch u angazhua për praktikat më të mira të informimit në Zvicër por edhe në Kosovë. Edhe ai kërkoi që mediet kosovare, në veçanti RTK si televizion publik, të jetë më efikase dhe të trajtoj në nivel më serioz çështjet e diasporës.
Ndërsa Naim Dedushaj nga Ministra e Diasporës ka përgëzuar autorët për një studim të tillë, i cili sipas tij ka një rëndësi të veçantë për Ministrinë e Diasporës dhe për mërgatën. Ai tha se ky hulumtim mund t'iu shërbej MeD-it, i cili është duke hartuar strategjinë për mërgatën, për periudhën 2013-2018.
Në fund, ndërkaq u dhanë disa konkluzione nga nikoqiri i konferencës, Elbansan Morina nga Diaspora për Zhvillim DfD. Ai tha se debati është fokusuar kryesisht rreth informimit, por jo edhe komunikimit Kosovë-Diasporë.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit nga RTK dhe RTV21, sikurse edhe gazetarë të tjerë të medieve kosovare, përfshirë edhe Arbër Vllahiun nga Presidenca e Kosovës dhe përfaqësuesin edhe disa përfaqësues të portaleve informative nga mërgata.
Nga Konferenca dolën disa rekomandime
Në fund u nxorën edhe disa rekomandime. U kërkua që ketë koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve vendore, lidhur me aktivitetet që i dedikohen diasporës. “Misionet diplomatike dhe konsullore të kenë një qasje më proaktive në raport me pjesëtarët e diasporës; çështje prioritare të jetë mësimi i gjuhës shqipe, Programe të veçanta për fëmijët që jetojnë në diasporë; Cilësia e lajmeve për diasporën dhe filtrimi i tyre;
Po ashtu u kërkua që mediet të bëjnë sondazhe lidhur me nevojën e diasporës për informim...; Të ndërpritet qasja e transmetimit të programeve ndaras (satelit & tokësor) nga mediumet në Kosovë: te krijohen programe të veçanta që do të tërheqin gjeneratën e dytë dhe të tretë për tu informuar nga mediumet kosovare, etj./Indeksonline/