Mediut i hiqet imuniteti, tjetër provë transparence e mazhorancës
Me 101 vota pro, 23 kundër dhe 2 abstenim Kuvendi i Shqipërisë i ka hequr dje imunitetin e deputetit, ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke e vënë këtë të fundit në dispozicion të hetimit të oirganit të akuzës në lidhje me ngjarjen e Gërdecit. Kerkesa e Prokurorisë së Përgjithshme është votuar në mënyrë të fshehtë me kuti, process që u parapri nga leximi i raportit përfundimtar të Këshillit të Rregullores dhe fjalës së vetë kreut të republikanëve. Deputeti i Partisë Demokratike Ilir Bano, duke lexuar raportin mbi imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes u shpreh se nga hetimet e bëra nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga të gjitha rezultatet e arritura nga hetimet është e nevojshme heqja e imunitetit të Mediut. Duke lexuar raportin e Këshillit të Imuniteteve Bano ka rekomanduar heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu duke i hapur rrugë hetimit të prokurorisë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes i cili akuzohet për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Gjatë leximit te raportit, ai ka lexuar relacionin e deputetit të Partisë Republikane Arjan Madhi dhe deputetit të PS Besnik Dervishi. Në relacionin e tij deputeti Madhi shprehet se prokuroria nuk ka materiale për të vërtetuar përfshirjen e Fatmir Mediut në ngjatjen e 15 marsit. “Mazhoranca ka vullnet politik për heqjen e imunitetit, por materialet voluminoze të depozituara në Kuvend nga prokuroria nuk vërteton përfshirjen e deputetit Mediu si përgjegjës të tragjedisë megjithatë pranojmë heqjen e imunitetit”- shprehej Madhi. Ndërkohë opozita në raportin e saj konstatoi se ish-ministri është përgjegjës kryesor për tragjedinë. Sipas deputetit socialist, Besnik Dervishi ngjarja e Gërdecit, është një ngjarje shumë e rëndë për shtetin shqiptar dhe meriton vëmendjen e institucioneve shqiptare. Ndërkaq pak para votimit ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka deklaruar se demontimi i armëve është një ndër prioritetet e Ministrise se Mbrojtjes që ai e ka drejtuar për 2 vjet e gjysmë dhe se kjo gjë nuk bëhet për para, por për arsye sigurie. Gjithsësi ai pohoi se demontimi i arëmve në Gerdec ka qenë i gabuar. Në fjalimin e tij gjatë, kreu i PR-së shprehu keqardhjen se si degjeneroi politika lidhur me çështjen e tij. “Kam dëgjuar e konstatuar me keqardhje deri, ku ka degraduar lufta politike. Kam frikë që të degjoj dhe ata që prisja të thoshin të vërtetën, por që nuk e kanë bërë. Unë mund të kisha qëndruar ne postin e Ministrit të Mbrojtjes, ta kisha përdorur atë për mbrojtjen time si shume të tjerë para meje, mund të fshihesha pas imunitetit, siç ka ndodhur si me të tjerë, por nuk e bëra”- deklaroi Mediu, duke i etiketuar në këtë kuadër akuzat e Prokurorisë së Përgjitshme si të pabazuara në ligj. Ish-ministri i Mbrojtjes, atakoi edhe opozitën për kërkesat e saj lidhur me komisione hetimore, ndërsa vlerësoi Komisionin e Mandateve për vërtetësi lidhur me çështjen e tij. Më parë Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare, e mbledhur mesditën e djeshme vendosi që dekretet e Presidentit për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë të votohen në seancën plenare të pasdites. Ndërkohë, seanca e sotme e Kuvendit do të votojë dhe për heqjen e imunitetit të deputetit republikan, Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes. Sipas burimeve nga Kuvendi, në përfundim të kësaj mbledhje, PD dhe PS kanë rënë dakord që votimi për dekretet e Presidentit dhe imunitetin e zotit Mediu të jetë votim i fshehtë, me kuti. Emërimet e reja në Gjykatën e Lartë, të dekretuara nga Kreu i shtetit, janë bërë së fundi objekt debati, pasi opozita këmbëngulte për votimin e shpejtë të tyre në Kuvend. Ndërkohë, që për këtë procedurë, maxhoranca është shprehur se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 18 janarit 2005. Ndërsa heqja e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu u kërkua nga Prokuroria e Përgjithshme më 25 prill të këtij viti, me qëllim nisjen e procedurave penale ndaj tij, lidhur me përgjegjësinë si ish-ministër i Mbrojtjes, në aksidentin e 15 marsit në Gërdec, të bashkisë së Vorës, ku nga shpërthimi në një fabrikë demontimi të municioneve humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë si dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale në banesa dhe biznese. Pak orë më parë gjatë paradites së djeshme, Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, arriti në të njëjtin konkluzion. Anëtarët e këtij komisioni, pas përfundimit të mbledhjes, e cila u zhvillua me dyer të mbylluar, deklaruan për median se do të votojnë por heqjes së imunitetit të Mediut”. Deputeti Petro Koçi u shpreh se “çështja e imunitetit është vendosur që në mbledhjen e kaluar dhe Këshilli i sugjeron në këtë rast Kuvendit të japë autorizimin për procedimin penal të deputetit Mediu”. Ndërkohë, vijoi ai, pati debat në lidhje me raportin e Këshillit, ku të dyja palët janë të ndarë në vlerësime të ndryshme. Ndërsa deputeti i PD-së, Ilir Bano, u shpreh se “pas diskutimit të të dyja raporteve, të përgatitura nga relatorët Besnik Dervishi dhe Arian Madhi, u vendos që ato t'i paraqiten Kuvendit pasdite”. I pyetur në lidhje me qëndrimin e PD-së për këtë çështje, Bano u shpreh se “maxhoranca është e gatshme për të votuar pro heqjes së imunitetit të deputetëve, cilëtdo qofshin ata. Arjan Madhi, deputeti republikan, njëherazi relator i raportit që iu paraqit Kuvendit, tha se “Komisioni nuk ra dakord të dilte me një raport të vetëm" , duke shtuar se, "për këtë arsye parlamentit do t'i paraqiten dy relacione”. Republikanët vazhdojnë të këmbëngulin në lidhje me përfshirjen e Forcave të Armatosura në çështjen e demontimit të armëve në Gërdec, të bashkisë së Vorës, ku më 15 mars ndodhi një shpërthim i fuqishëm, si pasojë e të cilit humbën jetën 26 persona, u plagosën rreth 300 të tjerë, si dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale në banesa dhe biznese. Lidhur me këtë, Madhi u shpreh se “FA kanë patur dijeni se ku bëhej demontimi i armëve e për më tepër që me mjetet ushtarake bëhej edhe transporti i të gjitha predhave në Gërdec. Për këtë arsye ne mendojmë se Prokuroria e Përgjithshme ka neglizhuar në lidhje me zbardhjen e këtyre provave”, cilësoi deputeti.
Leonard Quku
Leonard Quku