E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev Regjimi i al-Assad po shembet

“Shanset e presidentit Bashar al-Assad për të qëndruar në pushtet po zbehen dita ditës, ndërsa revolta 2-vjeçare kundër regjimit të tij po forcohet gjithmonë e më shumë”.

Ky ishte vlerësimi që i bëri situatës në Siri kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, në një intervistë të transmetuar mbrëmjen e së dielës në rrjetin “CNN”.

Gjatë intervistës, Medvedev u tregua i kujdesshëm për të distancuar Moskën nga mbështetja e al-Assad, por theksoi se qëndrimi i Kremlinit ka qenë dhe mbetet se zgjidhja për Sirinë duhet të vijë nga brenda vendit.

”Ekziston një pikëpamje e gabuar se Federata Ruse është një aleat i pakushtëzuar e Sirisë së presidentit Bashar al-Assad. Ne kemi pasur marrëdhënie të mira me të dhe babain e tij (ish-presidenti i vendit), por ju siguroj se marrëdhëniet e Damaskut kanë qenë shumë më të ngushta me vendet e mëdha europiane”, deklaroi Medvedev.

”Ne asnjëherë nuk kemi thënë se qëllimi ynë në Siri është që të ruajmë këtë klasë drejtuese. Nuk është qëllimi i Rusisë që presidenti al-Assad të mbetet në pushtet. Nga ana tjetër, mbështesim që çdo vendim për të ardhmen e vendit të merret nga populli i Sirisë dhe jo nga kancelaritë e huaja. Në këtë pikëpamje, qëndrimi i Rusisë ka qenë i ngjashëm si në rastin e Libisë apo ndërhyrjeve në vendet e tjera, me ndërhyrjen e huaj që shpesh ka rezultuar problematike dhe e dëmshme për të ardhmen afatgjatë të vendeve”.

I pyetur për të një parashikim të mundshëm të fundit të luftës në Siri, Medvedev bëri një analizë realiste duke thënë se për momentin, diçka e tillë është e pamundur, por pranoi se çdo ditë luftimi më shumë, zbeh shanset e al-Assad për të drejtuar vendin pas mbylljes së këtij konflikti.

Lufta civile e nisur në mars 2011, i ka kushtuar jetën të paktën 60 mijë sirianëve sipas vlerësimeve të OKB-së, ndërsa të paktën katër milionë të tjerë kanë braktisur banesat për t’u zhvendosur si refugjatë në vendet fqinje apo në zona më të sigurta brenda vendit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›