Medvedev kërkon paqe

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë ka patur pasojat e veta edhe në sport. Duke përfshirë si anulimin e të gjitha aktiviteteve ndërkombëtare në tokën ruse, si dhe përjashtimin e të gjithë sportistëve rusë nga aktivitetet ndërkombëtare të të gjitha sporteve. Por Daniil Medvedev, tenisti rus, që vazhdon të konkurrojë në veprimtaritë e tenisit nuk është aspak me luftën. I ndodhur në Amerikë, për të marrë pjesë në turneun Indian Wells, numri 1 i botës në tenis, ka kërkuar paqe nga vendi i tij i lindje.
“Mesazhi im është i njëjti. Dua paqe në të gjithë botën” – ka thënë në konferencën për shtyp, finalisti i Australian Open. Ai do të konkurrojë në turneun amerikan pa simbolet kombëtare të vendit të tij. Autoritetet e tenisit kanë vendosur që lojtarët rusë dhe bjellorusë nuk mund të luajnë me ngjyrat dhe flamurin e vendit të tyre, pas sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
“Dua të luaj tenis. Të luaj në çdo vend të botës dhe të promovoj sportin tim” – ka thënë lojtari 26-vjeçar, i cili kërkon të mbrojë numrin 1 në botë, në turneun amerikan të tenisit.