Meha dhe Kukeli, revolucioni në formacionin kundër Qipros?
De Biazi nxit rivalitetin në portë mes Ujkanit e Berishës
Altin Manallari
Nuk kanë luajtur kurrë më parë një ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, por të premten mund të jenë pjesë e 11-shes titullare në ndeshjen e para eliminatore të kuqezinjve në Grupin E të eliminatoreve të Botërorit 2014. Bëhet fjalë për dy futbollistët kosovarë Alban Mehën dhe Burim Kukelin, të cilët duket se do të bëhen pjesë e revolucionit të papritur të trajnerit Xhani De Biazi në formacionin e Shqipërisë. Të paktën është kjo ka rënë në sy gjatë këtyre ditëve të fazës përgatitore, që përfaqësuesja po zhvillon në Durrës. Në fillim qarkulluan zërat se tekniku italian kishte pëlqyer grintën e dy lojtarëve, të cilët i ka zbuluar vendosi ti grumbullonte pasi i kishte ndjekur në një ndeshje me ekipet e tyre përkatëse. Meha konsiderohet si një mesfushor që ka vizion për lojën dhe shquhet gjithashtu për gjuajtjet potente apo ekzekutimet thuajse perfekte të goditjeve të dënimit. Kukeli është një tip luftarak, që pozicionin ideal ka të luajë para mbrojtjes. Por po ashtu duket se konfirmimet po vijnë dita-ditës, pasi në miqësoren e djeshme, që Kombëtarja zhvilloi dje me ekipin e të rinjve të Teutës, takim u fitua me rezultatin 3-0 nga djemtë e De Biazit. Përzgjedhja e kësaj ndeshjeje ishte bërë më shumë për të testuar vendosjen taktike të skuadrës, lëvizjet e lojtarëve. Gjatë gjithë ndeshjes, tekniku italian qëndronte i ulur në tribunë, duke ndjekur lëvizjet e futbollistëve kuqezi. Synimi i tij gjatë këtyre kohëve ka qenë që të krijojë një ide sa më të qartë për lojtarët që ka në dispozicion dhe më pas të zgjedhë mes tyre 11-shen më të mirë të mundshme. Por ndërsa të tjerët i kishte provuar më parë, të vetmit të cilët merituan vëmendjen maksimale të tij, ishin Meha dhe Kukeli, të cilët përfshiheshin për herë të parë në një takim testues me bluzën e Kombëtares. Dy lojtarët, të cilët mund të përbëjnë edhe surprizën e formacionit titullar të premten, duket se është një vendim shumë i guximshëm i De Biazit, pikërisht në një ndeshje të rëndësishme si kjo ndaj Qipros. De Biazi e nisi këtë ndeshje kontrolli me formacionin më të mirë të mundshëm, sigurisht që në disa pozicione tekniku italian ka dyshimet e tij. Në portë Berisha, në mbrojtje Dallku, Cana, Mavraj dhe Lila, në qendër të mesfushës Bulku-Kukeli, Vila në të djathtë dhe Meha në të majtë, ndërsa në sulm Bogdani-Sadiku. Dirigjent i skuadrës në kufijtë e fushës ishte ndihmëstrajneri Tramexani, i cili zbatonte udhëzimit e mara nga De Biazi, i pozicionuar në tribunë. Në përfundim të pjesës së parë, i gjithë formacioni kuqezi u zëvendësua me lojtarë të tjerë, ndërsa portieri i Kalmarit, Etrit Berisha u vendos mes shtyllave të portës së 19-vjeçarëve të Teutës. Përqendrimi te portieri i skuadrës suedeze, i cili luajti gjatë gjithë ndeshjes, lë të nënkuptohet se tekniku ka dyshime për zgjedhjen mes Berishës dhe Ujkanit, duke nxitur kështu rivalitetin mes tyre. Kombëtarja fitoi me rezultatin 3-0. Pjesa e parë përfundoi 1-0 me golin e Armando Sadikut. Në të dytën, realizuan Jahmir Hyka dhe Hamdi Salihi.
Faza përgatitore
Testi
Kombëtarja fitoi 3-0 ndaj të rinjve të Teutës. Pjesa e parë përfundoi 1-0 me golin e Armando Sadikut. Në të dytën, realizuan Jahmir Hyka dhe Hamdi Salihi
Guximi
Aktivizimi i mundshëm në 11-she i Mehës dhe i Kukelit, duket se është një vendim shumë i guximshëm i De Biazit, në një ndeshje të rëndësishme si kjo ndaj Qipros
Balotazhi
Portieri Berisha në pjesën e parë mbrojti portën e kuqezinjve, në të dytën atë të 19-vjeçarëve të Teutës. De Biazi i paqartë për zgjedhjen mes tij dhe Ujkanit
Meha dhe Kukeli, revolucioni në formacionin kundër Qipros? burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip