E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati në lokal, dyshime për larje hesapesh në Spanjë

Gazeta Shqip

Vlorë

Policia ngre disa pista për vrasjen e Amarildo Delajt, ku u plagosën edhe dy klientë

Mikel Marsi

Pronari i një lokali në Vlorë është vrarë gjatë një atentati në pronën e tij, ndërkohë që dyshimet kryesore janë për larje hesapesh për disa probleme që ai ka pasur në Spanjë. Bëhet fjalë për vrasjen e 28-vjeçarit Amarildo Delaj, i cili u qëllua me breshëri automatiku në lokalin e tij, ku mbetën të plagosur edhe dy klientë, që mendohet se kishin njohje të mëparshme me të. Mbi trupin e tij janë qëlluam mbi 10 plumba, por autori ka mundur të arratiset pa u parë nga askush, pavarësisht se banesa e familjarëve të viktimës, ndodhej ngjitur me lokalin. Menjëherë pas të shtënave kanë dalë familjarët e Amarildos, të cilët kanë parë të vrarë pranë banakut djalin e tyre si dhe dy shokët e tij, të cilët ishin në jetë. Policia, e cila ka mbërritur pak minuta më vonë, e ka pasur të pamundur tu ndalojë familjarëve të viktimës hyrjen në lokal, aty ku ndodhej viktima, ndërkohë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të krimit.

Atentati në lokal

Ka qenë ora 23:45, kur në lagjen 28 Nëntori të qytetit të Vlorës, te Rruga e Re janë dëgjuar të shtëna pa ndërprerje, me breshëri. Menjëherë është njoftuar Policia e Vlorës në sallën operative, se në një lokal tek Rruga e Re ka të vrarë. Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje, pasi edhe Drejtoria e Policisë së Vlorës nuk është më larg se 200 metra nga vendngjarja. Në ndihmë të punonjësve të policisë, kanë mbërritur dy furgonë me policë specialë të FNSH-së së Fierit, të cilët, pasi kanë qëndruar jo më shumë se 20 minuta, janë larguar për kontrolle në banesat e atyre që dyshohen për veprën penale. Nga të shtënat e armëve ka mbetur i vdekur 28-vjeçari Amarildo Delaj, si dhe është plagosur rëndë shoku i tij, Stavri Beqiraj, 27 vjeç. Gjithashtu, i plagosur ka mbetur edhe një i ri tjetër, pikërisht Ervis Çela, i cili pasi ka marrë ndihmën e parë në spital, është larguar pa plagë plumbi në trup.

Vendi i ngjarjes

Policia, e cila ka bërë këqyrjen e vendngjarjes, ka vërtetuar se 28-vjeçari Amarildo Delaj ndërroi jetë, nga plumbat e shumtë që kishte në trup. Ndërsa shoku i tij Beqiraj ka marrë dy plumba në pjesën e barkut dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në spital. Sipas mjekut, aktualisht gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Pasi ka bërë rrethimin e lokalit, në të cilin gjendej 28-vjeçari pa jetë, policia ka kryer veprimet e para hetimore, duke vërtetuar se në krahun e majtë të lokalit Klint, nga pjesa e jashtme, janë shtënë 18 plumba, nga një armë tip kallashnikov. Në momentin e vrasjes, ai ndodhej në banakun e lokalit, duke punuar në kompjuterin e tij. Nga të shtënat, dy prej plumbave kanë përshkuar dhe pjesën e barkut të 27-vjeçarit Stavri Beqiraj.

Hetimet e policisë

Sipas policisë, autorët e krimit kanë gjetur momentin dhe orën e vonë që në këtë zonë nuk ka pasur kalimtarë si dhe kanë shfrytëzuar pjesën e rrugicës, që është në errësirë dhe lidh lokalin me një pallat tjetër. Nga hetimet e kryera mendohet se pasi personi i armatosur ka kaluar në këtë rrugicë, me një kapele në kokë, ka nxjerrë armën automatike nga një çantë, duke u përgatitur për të qëlluar. Në momentin që i është afruar dritares së lokalit, ku rrinte 28-vjeçari Delaj ka shtënë në drejtim të tij. Rreth ngjarjes, Policia e Vlorës ka ngritur një grup specialistësh në fushën e krimit, ku së bashku me Prokurorinë e Vlorës po hetojnë për gjetjen e autorëve, si dhe shkakun e këtij krimi makabër. Gjatë natës, deri në orët e para të ditës, janë shoqëruar mbi 20 persona, të cilët kanë qenë shokë të 28-vjeçarit, si dhe persona të dyshuar për krimin. Nga të dhënat mësohet se fillimisht janë ngritur pista për konflikte pronësie, apo për motive të dobëta, por nga hetimet e mëtejshme ka rezultuar se i riu ishte kthyer prej pak kohësh nga emigrimi. Burimet nga grupi hetimor thanë se kanë dyshime të forta rreth konflikteve që ai mund të ketë pasur me grupe kriminale të Spanjës. Mendohet se ata mund të jenë hakmarrë për hesape të pambyllura, megjithëse nuk janë dhënë shumë detaje mbi aktivitetin e tij jashtë vendit. Policia u shpreh se është shumë pranë zbardhjes së ngjarjes, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Dëshmitë

Banorja rrëfen tmerrin që pa pas krismave në lokal

I plagosuri humbi ndjenjat, teksa kërkoi ndihmën e vëllait

Banorët e zonës, ku ndodhi krimi i rëndë kanë përjetuar tmerr, sidomos në kohën kur vëllai i njërit prej të plagosurve, nuk po gjente vendin e ngjarjes. I plagosuri e kishte telefonuar pas plagosjes, por gjatë bisedës ka humbur ndjenjat. Banorët e lagjes 28 Nëntori tregojnë për Shqip rreth momenteve të përjetuara gjatë të shtënave në orët e vona të natës. Një nga banoret, e cila banon në pallatin pranë vendit të ngjarjes, tregon se kur ka dëgjuar të shtënat, ka dalë në dritare, por nuk ka parë askënd. Dëgjoja vetëm një zë që vinte nga brenda lokalit. Ishte zë mashkulli dhe kërkonte ndihmë. Ai thoshte na vranë, hajde na ndihmoni. Ju lutem ndihmë. Kur po dëgjoja zërin kuptova se të shtënat kishin qenë në lokal. Personi që kërkonte ndihmë kishte marrë në telefon vëllain e tij dhe me aq pak fuqi që kishte nga plumbat e marrë, nuk po mundte dot ti shpjegonte se ku ishte. Ndërsa vëllai i tij, i alarmuar, sillej me vrap nëpër pallate, ndoshta dhe banesa e tij ishte afër me vendngjarjen. Ai fliste në telefon me zë të lartë dhe duke iu marrë fryma thërriste Ku je se nuk po të gjej dot. Kjo zgjati për pak çaste, që dukeshin sa një jetë. Ishin të tmerrshme klithmat e tyre dhe menjëherë pasi ai gjeti vëllain e plagosur, mori një makinë për ta nisur në spital. Banorja e pallatit shpjegon se më vonë mësoi që i plagosuri, që rezulton të jetë Stavri Beqiraj, nuk ka pasur më fuqi ti fliste nga plaga e marrë në bark. Madje, më thanë se kishte humbur ndjenjat. Ndjenjat do ti ketë humbur në momentin, kur vëllai i tij në telefon thoshte ku je futur? Në çvend? Më thuaj, në çlokal je, më thuaj se jam afër, por nuk po të gjej, por nuk merrte një përgjigje, shpjegon banorja, që ka parë të gjithë skenën e krimit. M. M.

Atentati në lokal, dyshime për larje hesapesh në Spanjë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›