Mekanizmi për vizat, Fajon: Ballkani nuk rrezikohet
Një nga zerat më të fuqishëm në Parlamentin Evropian në mbështetje të liberalizimit të vizave për vendet e Balkkanit Perëndimor Tanja Fajon thotë se mekanizmi i ri i miratuar ditën e djeshme nga PE nuk përbën rrezik konkret.
Mekanizmi parashikon mundësinë që vendet anëtare të BE mund të ankohen për abuzimet e ndonjë vendi të tretë me regjimin pa viza. Pastaj Komisioni Evropian do të shqyrtojë, nëse ka prova për ta kthyer në “listën e zezë” në një periudhë fillestare prej gjashtë muajsh, dhe do t’ua shtrojë atë për aprovim të gjithë anëtarëve të BE.
“Sot nuk ka rrezik direkt për rikthimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Numri i të ashtuquajturve azilantë të rremë vazhdon të jetë i madh, por është më i ulët në krahasim me vitin e kaluar. Qeveritë evropiane nuk do të duhej të kenë arsye që të aktivizojnë momentalisht pezullimin. Rrezik është që ky mekanizëm të mund të shfrytëzohet nga ana e forcave nacionaliste dhe populiste në Evropë si mjet politik për të gjetur mbështetje në opinionin publik në vend”, shprehet Fajon.
Një tjetër amendament i këtij mekanizmi në dëm të Ballkanit Perëndimor është se secili prej vendeve të Shengenit mund të theksojë për kthimin e regjimit të vizave problemet dhe konkretisht numrin e azilantëve të rremë në shtatë vitet e fundit.
Komisionerja për Çështjet e Brendshme të BE-së, Cecilia Malmstrom, theksoi se pezullimi i udhëtimit pa viza do të përdoret vetëm si “mjeti i fundit “në një situatë emergjente, të shkaktuar nga keqpërdorimi i regjimit pa viza.
“Shpresoj se nuk do të përjetojmë situata, që të kemi nevojë të përdorim këtë mekanizëm. Gjithashtu unë besoj se të tillë frena sigurie do të forcojnë besimin e vendeve anëtare në regjimin e vizave, si dhe në të ardhmen e liberalizimit të vizave” theksohet në një deklaratë të Malstrom.