E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Berishës po ti thoshe Jo të argumentuar, tërhiqej

Ndoshta Aleksandër Meksi nuk do të kishte dashur që të qeveriste në atë kohë. Kjo jo thjesht për faktin se bëhej fjalë për një demokraci të brishtë dhe një vend në tranzicion, i cili kishte nevojë për reforma shumëplanëshe dhe ndryshime në sistemin ligjor.Ishte koha e rënies së piramidave financiare. Aleksandër Meksi, ish-kryeministër i asaj kohe, tregon në librin Pesha e Pushtetit si u veprua në atë kohë, cilat ishin humbjet, raporti i Shërbimit Informativ etj. Meksi nuk mund të mos flasë edhe për marrëdhëniet me ish-presidentin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, e përfaqësuesit e trupave diplomatike në Tiranë, apo për zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri, cilat prej tyre ishin të ndershme dhe cilat jo.

1992: Koha e artë kur ende shpresonim se vota e lirë, e shenjta votë, do të na sillte menjëherë demokracinë.
Aleksandër Meksi: Unë kam thënë që zgjedhje të vërteta në Shqipëri janë dy: zgjedhjet e vitit 1992 dhe zgjedhjet për referendumin në 1994. Ne humbëm në referendum. Po të kishim qenë hajdutë votash, siç janë sot partitë, kishim vjedhur edhe aty vota dhe kishim thënë siç deshëm. Në Shqipëri nuk të pyet kush se ashtu është ndërtuar. Aq më tepër që njëra palë ka gjithmonë miq të huajt, të cilët vijnë e bëjnë arbitrin në favor të atij që ka mik. Në vitin 1996 ishte kërkesë e Europës dhe e palës amerikane për të rivotuar në 40 zona dhe ndonjë kërkesë tjetër, e cila nuk u pranua nga pala shqiptare, nga presidenti i atëhershëm. Ai filloi që atëherë atë rrugë që ka edhe sot, të këmbënguljes në të tijën duke mos dëgjuar të tjerët, çka pruri pasojat që dihen dhe që është edhe arsyeja pse unë nuk jam më atje. Shkaku i vërtetë qe ky, mjeti qenë fajdet. Jam i sigurt që zor do ishte të mos të krijoheshin trazira me një mënyrë apo me një tjetër. Sot zgjedhjet identifikohen me dy persona, krerët e PD-së dhe PS-së. Votojmë për njërin, se jemi kundra tjetrit. Votojmë për këtë, që të mos vijë ai në pushtet. Ky mentalitet u institucionalizua me reformën e fundit ligjore të vitit 2008, me një Pazar të fëlliqur prej banditësh politikë. Ai ligj mënjanon mundësinë për mendime të ndryshme, lejon të përfaqësohen vetëm partitë e mëdha. Vërtetë votat u vodhën në 2009-n dhe duhen (duheshin) hapur kutitë, por është gjithashtu e vërtetë që i vodhën të dy partitë e fuqishme, PS-ja dhe PD-ja, nuk i vodhi vetëm Sali Berisha. Sigurisht, qeveria vjedh më shumë kur ka ndërmend të vjedhë, pastaj s’ka se si të vjedhin dy hajdutë njëlloj.
Një nga periudhat më të rënda, rënia e piramidave dhe më pas shembja e shtetit më 1997

Sali Berisha, Tritan Shehu dhe Aleksandër Meksi

Aleksandër Meksi: Ndër absurditetet e gazetave të sotme për çështjen e piramidave janë dy gjëra: e para, piramidat nuk i organizoi qeveria, tentuan të nxirrnin që i organizoi qeveria dhe nuk e vërtetuan dot. E dyta, dëmi që iu bë Shqipërisë nuk është 1.2 miliardë. Dëmi është individual, dhe jo i Shqipërisë. Dëmi i Shqipërisë janë paratë, të cilat mund të kenë dalë nga Shqipëria jashtë e nuk janë kthyer ende. Të tjerat qenë këtu. Këtu mbetën. Nuk erdhi ndihmë ekonomike në 1997, as ndihmë ushqimore. Erdhën nja dy kamionë, pastaj e panë që këtu kishte nga të gjitha gjërat dhe nuk erdhën më. Sepse paratë qenë këtu, nga bankat iu shpërndanë njerëzve. Vërtetë nuk i morën ata që duhet t’i merrnin, nuk u zbatuan kërkesat e qeverisë për të bërë ligje, etj., etj., e nuk kontribuoi në këtë zgjedhje as FMN-ja, e cila ishte e interesuar të likuidonte problemin, sepse kishte një kontribut politik të sajin në atë situatë. Unë me doreza e kam thënë në intervistat e mia. Qeveria nuk e kishte në dorë mbylljen e piramidave, këtë e kishte Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, qeverisë nuk i interesonte aspak kjo situatë, sepse nuk ishim aq budallenj sa të kujtonim se prodhohen para duke kaluar nga një dorë në tjetrën. Kjo është arsyeja që kemi kërkuar ne, dhe jo banka, që në nëntor-dhjetor të vitit 1995, një investigim për to. Janë raportet, janë letrat e mia. Mund të them vetëm kaq, raporti i parë që ka ardhur nga Gazidede është shumë herë më i plotë se raporti i parë që erdhi nga Banka e Shqipërisë një vit më vonë.
Nuk u kuptua nga Presidenti që duheshin mbyllur fajdet, e shtynte nën frikën e rrëmujave. Pati shqetësime edhe FMN-ja, njerëz të FMN-së në Shqipëri, se mos i mbyllnim, gjë që nuk e dëshmoj dot. E dinin këmbënguljen time si Kryeministër për t’i mbyllur dhe pyesnin: me gjithë mend doni t’i mbyllni? Se ishte më mirë të mos mbylleshin. Sepse ato libra që kishin ata në dorë i kishim edhe ne të përkthyera në anglisht e në shqip mbi fatin e Caritas-it rumun, Treme-së ruse etj. Nga aritmetika unë merrja vesh, vija nga inxhinieria kështu që ato punë i dija. Edhe kur vura kufizimet dhe kur i mbylla, mjafton të them që i kam futur në burg pronarët e tyre pa urdhër të Prokurorisë, e cila qe e implikuar në këtë punë. Nuk u mbyllën të gjitha njëkohësisht. U mbyllën të parat, për t’u mbyllur pastaj brenda muajit tjetër të dytat. Kam edhe dyshimin që qeveria duhet të ikte që të mos mbylleshin të dytat, sepse ne lamë në bankë rreth 150M$, të cilat s’dihet se ku kanë shkuar.
Problemi është që për të folur për këto gjëra duhet të kesh shifrat në dorë, që të bëhet transparenca. Asnjë nga qeveritë që kanë ardhur pas meje nuk bëjnë transparencë. Të na thonë cilët janë përfituesit e këtyre parave, cilët janë ata që kanë depozituar para, cilat janë zyrtarët etj., etj. Fakti që s’bëhet transparenca do të thotë që ka implikacione brenda strukturave shtetërore, ndoshta me miliona.
FMN-ja dërgoi të famshmin Kameroun që s’bëri asnjë punë. U shitën pronat e skemave piramidale në kohë lufte, në kohë trazirash. Në një kohë që s’kishin vlerë. T’i dimë kush i mori dhe si i morën. Pronat nuk qenë të pronarëve të piramidave. Ne kërkuam t’i kthejmë në shoqëri aksionare, t’i ndihmojmë siç ndodh kudo, siç është i famshmi artikulli 1 i kodit të falimentimit amerikan. Ne këmbëngulëm edhe kur ishim në opozitë në maj 1997 dhe FMN-ja nuk pranonte. Ideja e tyre ishte t’i likuidojmë, shiti edhe për pesë lekë nën pretekstin e likuidimit të tyre, çfarë të merret, të merret. Në një kohë që ato nga momenti që mbyllen, nuk ekzistojnë më.
Sa mund të lexosh dosjet e sigurimit, aq mund të lexosh të vërtetën e kësaj historie. Thjesht askush nuk e do këtë punë, njëra palë s’do ta thotë, tjetra palë e shfrytëzon. Njerëz që kanë punuar me to vazhdojnë të jenë në politikë etj., etj., nuk iu quhet krim. Jashtë, të punosh në forma të tilla, quhet krim ose së paku nuk mund të merresh në punë në shtet aq më pak në pozita drejtuese.
Përse u luftua Kushtetuta e vitit 1994, cilat qenë arsyet e vërteta? Si u përdor ligji i lustracionit nga pozita dhe opozita?
Aleksandër Meksi: Çështja e Kushtetutës qe edhe luftë politike. Në një sërë aspektesh Kushtetuta e propozuar në 1994-ën ishte më e mira e shkruar ndonjëherë, u bë me ekspertë. Por kishte edhe probleme.
Një problem i parë për mua edhe për këshilltarët e mi për çështjet e drejtësisë ishte që nuk binim dakord me ata të cilët nuk e konceptojnë dot drejtësinë e pavarur, për shkak të mentalitetit “ende komunist”, të majtë a të djathtë qofshin. Ky grup “ende komunist” nuk e koncepton dot realisht pavarësinë e g

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›