E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: "Rruga e vetme", endrra e Ramës për kryeministër

PUKE- Kryeministri Berisha udhëtoi sot paradite drejt qytetit të Pukës për të prezantuar kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” Beqir Arifi. Berisha i bëri thirrje qytetarëve të votojnë zotin Beqir Arifi, si “intelektualin e shquar, qytetarin e denjë” , projektet e të cilit do të kenë mbështetjen e qeverisë për të shndërruar Pukën në një qytet të zhvilluar dhe një qendër e turizmit malor.

Berisha foli për një investim mbi 22 milionë dollarë në infrastrukturë, kanalizime e në ndërtimin e rrugëve e shkolla të Pukës këto vitin e fundit, dhe premtoi se për 4 vitet e ardhshme do gjashtëfishonte investimet.

“Do asfaltojmë çdo rrugë nga Fierza gjer në Koman. Do lidhim cdo rrugë të komunës me rrugë komëbtare, dhe ujësjellësa kudo për furnizim me ujë 24 orë .. do rindërtojmë një qytet sipas standardeve europiane dhe do bëjmë gjithcka për Pukën turistike”- tha Berisha

Duke premtuar se do të kthente Pukën në një qytet të zhvilluar dhe shndërrimin në një nga qytetet më turistike malore, kryeministri propozoi dhe projektin për një pallat të mbyllur të sportit, i cili do të jetë dhe prioritet i qeverisë”

“Zoti kryetar i ardhshëm i bashkisë, unë konsultova listën e projekteve. Ju duhet të shtoni pallatin e Mbyllur të Sportit dhe unë garantoj përparësi për qeverinë time. “- nënvizoi kryeministri.

Duke iu referuar kundërshtarit politik, kryeministri tha se rruga për të cilën bën thirrje Edi Rama është “Të votojmë cdo gjë kundër interesit tuaj, kundër rritjes së pensioneve... ndërtimit të rrugës së kombit..aministisë fiskale... “, është rruga për të realizuar ëndrrën e tij të artë për karrigen e kryeministrit.

“Rrugë më të vetme se kjo nuk ka dhe nuk mund të bëhet sepse ai në këtë rrugë ka bindje absolute se duke ju bllokuar ju, do mund të realizojë ëndrrën e tij të artë karrigen e kryeministrit. Ai ka bindjen e tij të plotë se duke ju bllokuar do mund të mbajë gjithnjë në brez lugën e artë të Bashkisë së Tiranës... ai ka bindjen se do mund të mbajë peshkun e artë të drejtimit të PS-së.

Kjo ishte një anë, ndërsa ana tjetër është sharje, shpifje, mashtrime e trillime, të largëta e të papranueshme për moralin shqiptar.”- tha Berisha duke shtuar se “Nuk kam ndërmend të merrem asnjë sekond të vetëm se ju garantoj se mëkatet e tij nuk i lan as Drini, t’i mbajë për vete se nuk do merrem me to.. do merem me ju.. .me projektet tuaja”.
(Suela Gera/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›