Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët do të funksionojë

ROMË, 4 dhjetor/ATSH/- Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni gjatë një interviste për median italiane “Quarta Repubblica” ka folur për marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët.
Meloni tha se ka zgjidhje dhe po punon për këtë.
“Qendrat në Shqipëri do të funksionojnë. Unë nuk marr impenjime që nuk mund t’i mbaj dot”, tha kryeministrja për Quarta Repubblica në Rete 4.
Ajo u shpreh se projekti është inovativ dhe “nuk është rastësi që i kushtohet vëmendje pothuajse nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”.
“Për mendimin tim, projekti duhet të funksionojë dhe unë do të bëj gjithçka që duhet të bëj për ta realizuar atë. Besoj se është një projekt absolutisht inovativ dhe nuk është rastësi që i kushtohet vëmendje pothuajse nga të gjitha vendet në Bashkimin Evropian. Është një ndryshim total në menaxhimin e flukseve migratore, ka zgjidhje për ta bërë atë të funksionojë”, tha Meloni.
Kryeministrja Meloni theksoi se “është një ndryshim total në menaxhimin e flukseve migratore. Prandaj pritet vendimi nga Gjykata Supreme dhe Gjykata e Drejtësisë e BE-së. Në çdo rast jam duke punuar edhe për zgjidhje të tjera dhe në fund do të funksionojë”.