Meloni pas takimit me Ramën: Fokus te forcimi i partneritet mes dy vendeve tona në sektorë të ndryshëm

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar pas takimit zyrtar me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të zhvilluar në Palazzo Chigi në Romë.
Në deklaratën e saj, Meloni theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe vlerësoi progresin e arritur pesë muaj pas Samitit Ndërqeveritar të nëntorit.
“Pesë muaj pas Samitit Ndërqeveritar të nëntorit, takimi i sotëm në Palazzo Chigi me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, bëri të mundur një vlerësim të ecurisë së forcimit të partneritetit midis vendeve tona në sektorë me interes të përbashkët, me një fokus të veçantë te lidhshmëria, mbrojtja dhe bashkëpunimi në luftën kundër emigracionit të parregullt,” u shpreh Meloni.
Kryeministrja italiane nënvizoi se bashkëpunimi dypalësh po konsolidohet në fusha kyçe si infrastruktura, siguria dhe menaxhimi i emigracionit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Romës dhe Tiranës.
Më herët, kreu i qeverisë shqiptare reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke u shprehur se “asnjë qeveri italiane nuk ka bërë më shumë për Shqipërinë sesa ajo e Melonit në 35 vite”.
Ky takim vjen si vijim i samitit të parë ndërqeveritar Itali–Shqipëri, ku u nënshkruan 16 marrëveshje bashkëpunimi, duke konsoliduar partneritetin strategjik mes Romës dhe Tiranës.
A cinque mesi dal Vertice Intergovernativo di novembre, il colloquio di oggi a Palazzo Chigi con il Primo Ministro della Repubblica d’Albania, Edi Rama, ha permesso di fare il punto sul rafforzamento del partenariato tra le nostre Nazioni nei settori di interesse comune, con un… pic.twitter.com/VWSIUizdxE
— Giorgia Meloni (@GiorgiaMeloni) April 16, 2026
/rtsh.al/