E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK mbyll hetimet, në gjykim 8 të pandehur për mashtrimin kompjuterik ndaj shtetasve gjermanë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi sot se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë 8 të pandehur, të akuzuar për mashtrim kompjuterik ndaj shtetasve gjermanë.

Në listën e të pandehurve janë Emiljano Sejdillari dhe Sokol Krasniqi, të akuzuar për mashtrim kompjuterik në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe Rodrigo Guga, Eltion Logu, Tafil Dyrmishi dhe Lisjane Çulani, të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe kryerje veprash penale nga organizata kriminale. Ndërkohë, Klejdi Nuka dhe Mateo Llozhi akuzohen për mashtrim kompjuterik në bashkëpunim.

Hetimet nisën mbi kërkesën për ndihmë juridike të Prokurorisë së Përgjithshme Karlsruhe në Gjermani, pas dyshimeve për mashtrim të organizuar përmes qendrave të thirrjeve (Call Center). Sipas SPAK, më 14 dhjetor 2023 një grua nga Freiburg u bë viktimë e një tentative mashtrimi për 120 mijë euro, por ndërhyrja e policisë gjermane e pengoi dorëzimin e shumës.

Nga përgjimet dhe hetimet kibernetike u zbuluan qindra mijëra telefonata mashtrimi, të kryera përmes aplikacionit “Caller-ID-Spoofing” dhe teknologjisë “Voice-over-IP”, duke përdorur serverë në Gjermani dhe shërbime anonimizuese si VPN. Autoritetet gjermane identifikuan adresat IP që lidhnin aktivitetin me Shqipërinë, përmes kompanive “Digicom” dhe “Kujtesa Net”.

Në vijim, u identifikua një Call Center i paregjistruar në rrugën “Hamdi Sina” në Tiranë, ku gjatë një kontrolli më 18 prill 2024 u sekuestruan prova materiale dhe digjitale, ndërsa u shoqëruan disa persona të dyshuar. Analiza e provave konfirmoi ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal që synonte mashtrimin e shtetasve gjermanë.

Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurie “arrest në burg” për pesë persona dhe “arrest në shtëpi” për tre të tjerë. Vlera e dokumentuar e dëmit për periudhën e aktivitetit ishte 363,501 euro, me 14 viktima, ndërsa qindra tentativa mashtrimi u parandaluan nga policia gjermane.

SPAK theksoi se fenomeni i mashtrimit online përmes qendrave të thirrjeve do të vijojë të ndiqet me përparësi, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke paralajmëruar qytetarët që të mos bëhen pjesë e veprimtarive të paligjshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›