E Diel, 1 Nëntor 2026

Meloni rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën: Domosdoshmëri strategjike për sigurinë e Evropës

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar se Italia dhe Bashkimi Evropian do të vijojnë të mbështesin Ukrainën, duke e cilësuar këtë qasje jo vetëm si detyrim moral, por si një domosdoshmëri strategjike për sigurinë kontinentale. Deklaratat u bënë gjatë një daljeje të përbashkët për shtyp, në përfundim të takimit dypalësh me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në fjalën e saj, kreu i qeverisë italiane theksoi se mbështetja ndaj Kievit, popullit dhe institucioneve të tij ka qenë e vazhdueshme dhe mbetet thelbësore, pasi në këtë konflikt rrezikohet edhe vetë siguria e Evropës.

Sipas kryeministres italiane, qeveria e saj do të vazhdojë të kontribuojë në arritjen e zgjidhjeve që garantojnë sovranitetin e Ukrainës dhe ruajnë kohezionin e aleancës euroatlantike.

Në përfundim, Meloni paralajmëroi mbi rreziqet e një qasjeje të fragmentuar mes aleatëve perëndimorë. Ajo theksoi se një Perëndim dhe një Evropë e përçarë do të përbënte një avantazh të drejtpërdrejtë për Moskën, duke dëmtuar interesat e përbashkëta të sigurisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›