E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaporta shqiptare për “interes shtetëror”, kërkesa për njohjen e gjuhës shqipe dhe historisë mund të mos jenë më kriter

Personalitetet në fusha të ndryshme të jetës, si arti, kultura, sporti, por edhe figura me ndikim në botën shqiptare, të cilët nuk e posedojnë shtetësinë shqiptare, por që përfaqësojnë interes për vendin tonë, tashmë do ta kenë më të lehtë marrjen e shtetësisë shqiptare.

Parlamenti ka marrë në shqyrtim ligjin për shtetësinë, për të lehtësuar procedurat e dhënies së shtetësisë shqiptare.

Neni 9 shkaktoi diskutime duke përjashtuar detyrimin e njohjes së gjuhës shqipe, historisë, si dhe kriterin e kohës së qëndrimit në territorin shqiptar.

“Shqipëria ka nevojë të atribuojë shtetësinë personave të cilët krijojnë me Shqipërinë një lidhje të fortë”, tha Balla.

Deputeti Tritan Shehu e vlerësoi projektligjin si shumë të rëndësishëm dhe theksoi se ai duhet t’i nënshtrohet një diskutimi më të gjerë publik.

“Hap dyert ky ligj, mbush vendin ndërkohë që ne e zbrazim vendin nga shqiptarët. Përzëmë shqiptarët të ikin dhe mbushim vendin me të ardhur të tjerë”, tha Shehu.

Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në pikën 2 të nenit 9. Sipas propozimit, procedura e aplikimit dhe vlerësimi i kritereve që lidhen me pastërtinë e figurës së aplikuesit do të kryhen nga një agjenci e posaçme në varësi të Ministrisë së Brendshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›