Memaj për ATSH-në: Qeveria subvencion për naftën, normalizohet transporti publik në Tiranë

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Transporti publik në kryeqytet i është rikthyer normalitetit, pas reduktimit me 40% të flotës së autobusëve ditën e djeshme.
Lajmi u konfirmua për ATSh-në nga kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Memaj, i cili në një prononcim dha detaje mbi masat e marra për stabilizimin e situatës.
Memaj tha se gjatë takimit të zhvilluar mëngjesin e sotëm, të pranishëm ishin përfaqësues të Shoqatës së Transportit Publik dhe Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, ndërsa nga pala e Qeverisë ishin ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi dhe kryetarja e komanduar e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani.
“Gjatë takimit u diskutuan edhe kërkesa të tjera, jo vetëm kjo pjesë. U dakordësuam që subvecioni të jetë 50 lekë për litër për një periudhë 3 mujore”, tha Memaj.
Memaj theksoi se autoritetet janë në komunikim të vazhdueshëm me operatorët, për të garantuar funksionimin normal dhe cilësor të transportit publik për qytetarët.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, nënvizoi se menjëherë pas dakordësimit të marrëveshjes, autobusët u kthyen në punë me kapacitet të plotë.
Ai shtoi se aktualisht të gjitha linjat urbane po operojnë sipas grafikëve të zakonshëm, ndërsa është duke u monitoruar nga afër performanca e shërbimit për të siguruar cilësi dhe qëndrueshmëri.
“Autobusët u kthyen në normalitet, sipas kontratave dhe situatës që ka çdo operator. Transporti publik është totalisht normal në momentet që flasim dhe do të vazhdojë kështu deri kur shpresojmë që të mos kemi më rritje të çmimit të naftës apo situata përtej parashikimit”, tha ai.
Karakaçi: Do të subvencionojmë transportin publik për rikthimin në normalitet të këtij shërbimi
/e.i/