Samiti IV i Diasporës, mesazhe nga shqiptarët në botë: Atdhedashuria nuk njeh distancë

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme publikoi mesazhe nga shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të botës të cilët bënë pjesë e samitit IV të Diasporës, ku ata përcjellin emocionet dhe lidhjen e fortë me atdheun.
Sipas MEPJ, dëshmitë e pjesëmarrësve tregojnë se distanca nuk e zbeh ndjenjën e përkatësisë dhe dëshirën për të kontribuar për Shqipërinë. “Zemra rreh shqip, kudo që ndodhemi”, është mesazhi që përshkon rrëfimet e tyre.
Shqiptarë që jetojnë në Bruksel, Gjermani, Poloni, Zvicër dhe Milano ndanë përvojat e tyre, duke theksuar emocionet që përjetojnë sa herë dëgjojnë himnin kombëtar apo rikthehen në vendlindje.
Një avokate që jeton në Bruksel u shpreh se emocionohet deri në lot kur dëgjon himnin e flamurit, duke bërë thirrje që kjo ndjenjë të mos humbasë kurrë.
Ndërsa një tjetër pjesëmarrës nga veriu i Gjermanisë, i larguar prej më shumë se tre dekadash, e cilësoi si nder të madh pjesëmarrjen në samit.
Përfaqësues të diasporës theksuan gjithashtu rëndësinë e organizimeve të tilla për forcimin e lidhjeve me Shqipërinë dhe përfshirjen aktive në zhvillimin e vendit.
Ata vlerësuan rolin e institucioneve shqiptare në krijimin e urave të bashkëpunimit dhe në promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në botë.
Në mesazhet e tyre, pjesëmarrësit nënvizuan se rrënjët shqiptare mbeten të forta pavarësisht viteve të jetesës jashtë vendit, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në fusha të ndryshme, nga arsimi dhe kultura, deri te ekonomia dhe organizimi komunitar.
Samiti i Diasporës konsiderohet një platformë e rëndësishme për bashkimin e shqiptarëve kudo që ndodhen dhe për forcimin e lidhjeve mes tyre dhe Shqipërisë. Edicioni IV i samitit u mbajt 13-15 prill në Tiranë.
/gj.m/j.p/