E Diel, 1 Nëntor 2026

Memelli: “Tirana, një skuadër e madhe”Sulmuesi bardheblu: "Për ne çdo ndeshje deri në përfundim të kampionatit është si një finale. Edhe me Shkumbinin është e tillë. Nuk na lejohet më të gabojmë, nëse duam të fitojmë titullin e 24-t kampion”.

“Luaj me kampionë të vërtetë, me një skuadër të madhe. Kaluam Dinamon, por Tirana ka një rrugë të gjatë drejt titullit”. Kështu u shpreh për Radio Tiranën, sulmuesi Migen Memelli, autori i dy golave me bardheblutë në këtë takim dhe golashënuesi më i mirë aktual i Kategorisë Superiore (12 gola në 15 ndeshje të aktivizuara).
 
Tirana realizoi një fitore spektakolare 2-4 në transfertë të Tiranës me Dinamon, pikërisht në përvjetorin e dytë të ndarjes nga jeta të legjendës bardheblu e futbollit shqiptar, Arben Minga.  “Bëmë një ndeshje të bukur, pasi patëm forca ta përmbysnim dy herë dizavantazhin me Dinamon, kjo falë lojtarëve që kemi në ekip”, - shtoi Memelli, i cili është ndërkohë edhe golashënuesi më i mirë i Tiranës në Kupën e Shqipërisë (8 gola).

Sulmuesi i adreson fitoren gjithë skuadrës. “Falënderoj shokët, presidencën e klubit dhe zotin Refik Halili. Mundëm Dinamon, një nga ekipet më të mira të Shqipërisë, dhe tani jemi një pikë larg Vllaznisë. Nuk duhet të na kapë euforia, pasi dhe në fillim të fazës së parë, arritëm të shkëputeshim deri në pesë pikë, por në mbarim të pjesës së parë të sezonit e pamë veten katër pikë larg vendit të parë (Vllaznisë)”.

Në javën e 19-të, Tirana do të presë Shkumbinin, skuadrën që mposhti në javën e 18-të Vllaznisë, duke i bërë një dhuratë indirekte bardhebluve.“Për ne çdo ndeshje deri në përfundim të kampionatit është si një finale. Edhe me Shkumbinin është e tillë. Nuk na lejohet më të gabojmë, nëse duam të fitojmë titullin e 24-t kampion”.

Gazetari i njohur i Radio Tiranës, Piro Ruvina, e pyeti sulmuesin e Kombëtares, edhe për një ftesë të mundshme nga trajneri i Kombëtares për ndeshjen ndërkombëtare me Maltën. “Unë jam një lojtar, nëse trajneri Han do të më thërrasë, natyrshëm që do të mirëpres dhe do të përpiqem të jap më të mirën. Shtrëngimi i duarve me trajnerin e Dinamos, Daliç? Jam lojtar profesionist e kam luajtur jashtë dhe kjo andej është një traditë. Jam gjithmonë për Fair-play”.

E Shtune, 31 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›