E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memorandumi mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për TAP, më datë 15 gusht

11-08-2012 / Gazeta 55

Hapat drejt gazifikimit të vendit kanë filluar të hidhen dhe zhvillimet aktuale njoftojnë për një proces, i cili pritet të finalizohet në një të ardhme të afërt. Sipas burimeve pranë Ministrisë së Ekonomisë, janë dhjetëra kompani qe kanë shfaqur që tani interes për marrjen e  licencës së tregtimit dhe shpërndarjes së gazit në Shqipëri, gjë që do të bëhet e mundur pas ndërtimit të depozitave të gazit nga konsorciumi i projektit TAP. Bëhet e ditur se në 15 Gusht përfundon udhëzuesi i përbashkët mes Enteve Rregullatore të Energjisë së Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë. Pas kësaj date, Entet do të marrin në analizë kërkesat e kompanive private për zhvillimin e tregut të gazit dhe brenda muajit Tetor do të merret vendimi për kompanitë fituese. Sipas burimeve zyrtare pranë Entiti Rregulaltor të Energjisë, bëhet e ditur se ndryshimet ligjore marrin parasysh ruajtjen e konkurrueshmërisë në tregun e gazit dhe janë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian. Sipas përllogaritjeve, nevojat vjetore te Shqipërisë për gaz arrijnë në rreth 200 milionë metër kub pasi të ketë përfunduar e gjithë infrastruktura e shpërndarjes. Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, janë disa kompani ndërkombëtare që kanë shfaqur interes për marrjen e licencës së tregtimit dhe shpërndarjes së gazit në vend, pasi të ketë përfunduar faza e ndërtimit të infrastrukturës. Konsorciumi i gazsjellësit transadriatik (TAP) ka parashikuar ndërtimin e depozitave të gazit në Shqipëri me një kapacitet fillestar prej 2 miliardë metër kub në zonën e Fierit. Një investim ky që nuk përfshihet në investimin fillestar prej 1 miliardë euro të ndërtimit të gazsjellësit, por që lind si nevojë e kryqëzimit të kësaj linje me gazsjellësin Joniano-Adriatik (IAP) për shpërndarjen e gazit në rajonin e Ballkanit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›