E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memushaj: Gjuha po politizohet

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare’, gjuhëtari i njohur tiranas, profesori Rami Memushaj e quan të drejtë reagimin e ish-kryeministrit dhe deputetit aktual të PS, Pandeli Majkos, lidhur me shkronjën “ë”, derisa sqaron detajisht atë që po ndodh sot me gjuhën shqipe, rrymat, mangësitë, por edhe gabimet që po bën këshilli ndërakademik i gjuhës shqipe, i Akademisë së Shkencave. Express, sjellë një pjesë të kësaj interviste.

Memushaj, që njihet si një nga pedagogët më të mirë të Fakultetit të Gjuhës e Letërsisë në Tiranë, kërkon shkrirjen e këtij këshilli, i cili, sipas tij, merr vendime të fshehta në tempullin e shkencës. Ai me Pandeli Majkon pajtohet edhe në një pikë tjetër, se gjuha po politizohet. Si rrjedhojë, edhe Majko edhe Memushaj mendojnë se: Në shkencën tuaj (të gjuhës) unike ‘gabimi’ nuk ekziston. Ka vetëm ‘bekim’ ose ‘mallkim’, i cili do ju ndjekë edhe pas vdekjes".

Z. Majko e quan tallës debatin për shkronjën "ë". Cili është qëndrimi juaj?

Mesa e kuptoj unë, Majko godet sjelljen e të ashtuquajturit këshill ndërakademik për gjuhën shqipe dhe atë të Akademisë sonë të Shkencave, në gjirin e së cilës vepron ky këshill. Sepse vërtet, ka vetëm një njoftim të thatë për media, në të cilin thuhet se "u dhanë mendime e u bënë propozime" për drejtshkrimin e zanores 'ë' të patheksuar, por nuk thuhet se aty u votua në mungesë të një të katërtës së anëtarëve të këtij këshilli, duke marrë një vendim me 6 vota kundër dhe 7 vota pro ndryshimeve të propozuara. Nuk është bërë i njohur as teksti i materialit që është votuar, ndërkohë që njëri prej anëtarëve të këtij komisioni në intervistën e tij shkoqiti me hollësi ndryshimet që duan t'i bëjnë drejtshkrimit të sotëm. Pra, sjellje tinëzare në tempullin e shkencës për të fshehur të vërtetën.

Si i gjykoni termat që përdor ish-kryeministri Majko? Ku pajtoheni e ku jo me mendimin e tij?

Si qytetar, Majko ka të drejtë të shqetësohet për këtë gjë. Si politikan mendjehollë, që i njeh mirë mendësitë dhe sjelljet e mbrapshta, ai lexon midis rreshtash se çfarë gjëje jo të mirë fsheh kjo heshtje e Akademisë. Këtë shqetësim për atë çfarë po ndodh dhe si po ndodh me gjuhën, pasurinë tonë më të vlefshme si komb, në këtë përvjetor të njëqindtë të Pavarësisë ai e shpreh me dhimbje. Është vërtet e rëndë që ata që ia kanë kushtuar jetën e tyre gjuhës të sillen në këtë mënyrë me objektin e tyre të punës.

Si duhet të jetë gjuha shqipe në këtë 100-vjetor?

Nëpër institucione që merren me gjuhën po mendohet për organizimin e veprimtarive shkencore, në të cilat do të flitet për hapat që ka bërë shqipja nga një gjuhë e ndaluar në një gjuhë të kultivuar që po e përballon me sukses trysninë e gjuhëve të kulturave të mëdha, me të cilat është në kontaktet më intensive që ka njohur në jetën e saj. Në këto veprimtari synohet të bëhet edhe bilanci i arritjeve të gjuhësisë sonë në studimin e shqipes. Por, me keqardhje vërej se mungon bashkëpunimi. Çdo institucion që merret me shqipen (këtu, në Kosovë dhe në Maqedoni) mendon të organizojë tubime në vete, ndërkohë që do të duhej të bashkëpunonin dhe të bashkërendonin veprimtaritë.

Mos po shkohet drejt një standardi me gegërishten, prandaj edhe po synohet heqja e shkronjës 'ë' në disa raste?

Mbledhja e këshillit ndërakademik që vendosi për ndryshime të thella të drejtshkrimit (dokumenti nuk është publikuar ende), nuk ishte një tubim i mbështetur në një analizë serioze të fakteve. Mungoi mendimi i ekspertëve të drejtshkrimit, pasi komisioni përkatës i palës së Akademisë Shqiptare nuk është thirrur në asnjë mbledhje që nga viti 2010, kur rifilloi punën këshilli ndërakademik për gjuhën. Zhbërja 'de facto' e këtij komisioni dhe vetëpezullimi i kryetarit të tij, dr. Emil Lafes, janë tregues se tubimeve të këshillit dhe, për rrjedhojë, edhe vendimeve të tij u ka munguar fryma demokratike dhe shkencore. Përjashtimi i këtyre është një shenjë diktati, një përpjekje për t'ua mbyllur gojën atyre që mendojnë ndryshe, që unë e shoh si një infektim të veprimtarisë së këtij këshilli nga "tabiatet" e këqija të politikës. Nuk po shkohet drejt një standardi me bazë gegërishten. Edhe ata që qysh nga fillimi i viteve '90 e deri vitin e kaluar ishin për standardizimin e gegërishtes - si një variant letrar që do të përdorej krahas gjuhës standarde - duket se kanë hequr dorë nga ky qëndrim. Debati rreth shkronjës 'ë' buron nga ajo që në bazë të propozimeve të miratuara në këshillin ndërakademik nuk qëndrojnë argumentet shkencore të mbështetura në studime të fonetikës dhe të morfologjisë, po në veshin dialektor të atyre që janë për operacione kaq të thella. Nisur nga një ide e pambështetur shkencërisht, se 'ë'-ja atje e këtej nuk dëgjohet, andaj nuk duhet shkruar, po synohet të shkohet drejt një shkrimi e shqiptimi të fjalëve dhe të formave të tyre që është më afër të folmeve që i kanë gërryer format e fjalëve, duke i humbur shqipes natyrën vokale të shqiptimit të saj, për shkak të mbizotërimit të bashkëtingëlloreve...

Prandaj anëtarët e këshillit që votuan kundër këtyre ndryshimeve të thella dhe bashkësia e gjuhëtarëve shqiptarë, këndej dhe andej kufijve tanë shtetërorë, që po reagojnë përditë në faqet e shtypit dhe në emisione televizive, kanë me vete argumente shkencore që i mungojnë palës tjetër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›