E Hënë, 2 Nëntor 2026

Menaxhimi i mbetjeve, Jaupaj: Kompostimi do jetë i detyrueshëm për të gjithë bashkitë

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, deklaroi se deri në vitin 2028 do të përfundojë ndërtimi i infrastrukturës së plotë për menaxhimin e mbetjeve, duke përfshirë edhe kompostimin në të gjithë vendin.

Ai tha në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave se kompostimi duhet të jetë i detyrueshëm për bashkitë si pjesë e reformës për mbrojtjen e mjedisit.

“Ajo çfarë ne kemi bërë si ministri është që kemi investuar në disa bashki modele impiante të kompostimit, të cilat kanë dalë vërtet të suksesshme për shkak se prodhohet pleh për bujqësinë”, tha Jaupaj.

Ndërkohë, deputeti Enno Bozdo parashtroi pyetje për situatën e inceneratorëve. Ministri Jaupaj u shpreh se transparenca dhe kontrolli mbi këto procese do jetë prioritet i qeverisë.

“Jo vetëm që kemi tri inceneratorë që nuk ekzistojnë, madje as si godinë”, tha Bozdo.

“Janë trashëguar gjatë periudhës së tranzicionit 202 vende pozitive ilegale, sepse e tillë ishte situata. Gjatë kësaj periudhe janë mbyllur një pjesë e mirë prej tyre. Do të mbyllen deri në 2030 të gjitha depozitimet ilegale. Unë gjykoj që situata e integruar e menaxhimit të mbetjeve është shumë herë më mirë se ç’ka qenë”, tha Jaupaj.

Ndërkohë, në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm u zhvillua një seancë dëgjimore me grupet e interesit.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe të sektorit privat dhanë propozime për përmirësimin e projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Diskutimet pritet të vazhdojnë edhe në javët e ardhshme, përpara se projektligji të kalojë për miratim në Kuvend.

Gazetare: Bjolanda Cuku

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›