Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Ballanca: Xhaxhai i autorit u ankua te Avokati i Popullit, e konsideronte procesin gjyqësor të padrejtë

Vrasja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjykatës së Apelit ka tronditur thellë sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik shqiptar. Ngjarja, e ndodhur gjatë shpalljes së një vendimi në një çështje pronësie, ka nxitur reagime të forta nga institucionet shtetërore dhe ka rikthyer në qendër të debatit sigurinë në gjykata, por edhe problemin e zvarritjes së çështjeve gjyqësore.
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e ftuar në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, teksa e cilësoi vrasjen e gjyqtarit një “ngjarje shumë të rëndë”, bëri të ditur se Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të dyshuar, kishte depozituar një ankesë pranë këtij institucioni në maj të vitit 2025.
Shkambi, palë në çështjen e pronësisë, e konsideronte procesin gjyqësor si të padrejtë dhe kërkonte përshpejtimin e zbardhjes së vendimit në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër, si dhe caktimin e një date në Gjykatën e Apelit.
“Ky person ka pasur një përballje të gjatë me sistemin gjyqësor. Ka qenë përballje e gjatë, por jo e pajustifikuar. Ne këtë person, zotin Gjon Shkambi e kemi patur ankues. Në maj të vitit 2025 ka bërë një ankesë të gjatë te Avokati i Popullit ku ndihet palumturia e tij për sistemin e drejtësisë. Kishte shumë ankesa dhe konsideronte që procesi ishte i zhdrejtë dhe jo i drejtë. Ai na kërkoi përshpejtimin e zbardhjes së një vendimi të gjykatës së shkallës së parë Shkodër dhe nxjerrjen e një date në Gjykatën e Apelit. Të dyja këto kërkesa ishin dy kërkesa të vogla për hapa proceduralë brenda atij shqetësimi që ai kishte. Ne nuk kemi kompetencë mund të përcaktojmë se cili ka të drejtë apo, kjo i takon gjykatës”, tha Ballanca.
Ajo theksoi se sistemi gjyqësor po përballet me mungesë të theksuar kapacitetesh, si pasojë e reformës në drejtësi, duke lënë gjykatat me vetëm gjysmën e trupës gjyqësore të nevojshme.
“Sistemi gjyqësor sot që flasim është në një stres të jashtëzakonshëm. Reforma në drejtësi kishte qëllime shumë të mira, ka arritur disa qëllime, ama nga ana tjetër gjykatat u boshatisën. Ne sot kemi vetëm gjysmën e gjyqtarëve që duhet të jenë në detyrë dhe nuk ja dalim dot të shqyrtojmë të gjitha çështjet në kohën e duhur”, u shpreh Ballanca.
Gjyqtari Kalaja u përcoll sot (8 tetor) për në banesën e fundit, teksa homazhet u zhvilluan në Pallatin e Kongreseve, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit dhe të sistemit të drejtësisë.
/rtsh.al/